22-10-2021

Si duhet të jetë menaxhimi i drejtorit, për të sjellë ndryshime në shkollë?

Shkruan: Emir Saramati

Drejtori është person i zgjedhur apo i emëruar, organ drejtues, që ka për detyrë të organizoj e të drejtojë punën dhe veprimtarinë e shkollës si institucion edukativo-arsimor. Si drejtues i institucionit, drejtori realisht ka mundësi për të bërë ndryshime rrënjësore, në dobi të përmirësimit rë rrjedhave në drejtim të rritjes së cilësisë së punës mësimore.

Praktika e shkollave tona, falë përjashtimeve, pjesa dërmuese e drejtorëve të shkollave për arsye të ndryshme (mungesa e përvojës, mungesa e profesionalizmit, rezistencë nga punonjësit, mungesa e aftësive menaxhuese, etj.) nuk kanë arritur të iniciojnë dhe të zbatojnë ndryshime ose të fusin risi e strategji të reja të punës. Drejtorët e shkollave ballafaqohen edhe nga disa faktorë që për ta dalin si pengesë në këtë drejtim. Ata ballafaqohen me shkolla të mëdha, me numër të madh të punonjësve e të nxënësve, me mungesë të infrastrukturës dhe hapsirës shkollore. Megjithëkëtë, drejtorit i mbetet përgjegjësia për moszbatimin e ndryshimeve dhe menaxhimit me shkollën.

Menaxhimi i shkollës është faktor i rëndësishëm i cili kërkon mbështetje të nevojshme për të bërë ndryshimet e planifikuara dhe strategjitë e projektuara në mënyrë që të përsoset e të transformohet procesi mësimor dhe jeta në shkollë. Në këtë kontekst, drejtori duhet t’i japë shtysë ndryshimit të rrjedhave në shkollë në disa segmente bazë si: Shkollën si sistem operativ, udhëheqja me shkollën, planifikimin dhe vizionimin e punës ekipore në shkollë dhe menaxhimi me burimet njerëzore dhe financiare.

Menaxhimi me ndryshimet dhe punën e shkollës nënkupton angazhimin e drejtorit në disa drejtime si: ndihmë arsimtarëve në definimin e strukturave, përmbajtjeve dhe zbatimin e ndryshimeve në organizimin e mësimit, ndryshime në drejtim të përmirësimit dhe ngritjes së cilësisë së punës mësimore, planifikimi i trajnimeve të arsimtarëve për ndryshime vetjake dhe ndryshimeve në shkollë. Zbatimi i ndryshimeve është i lidhur me funksionin e drejtorit në shkollë, përkatësisht me: funksionin drejtues, planifikues-programues, organizues dhe novativ, vlerësues dhe kërkimor.

Realizimi i objektivave të lartpërmendura, kërkon, jo vetëm përgjegjësi maksimale nga drejtori por edhe disa cilësi që e formojnë profilin e tij menaxhues. Që të sigurohet cilësi në menaxhimin e shkollës dhe zhvillimin e saj, funksioni i drejtorit duhet të profesionalizohet në:

  • Shkathtësi komunikuese dhe energji racionale
  • Kooperim dhe aftësi për punë ekipore
  • Iniciativë, motivim dhe ide
  • Aftësi intrapersonale dhe organizuese
  • Fleksibilitet, vetëbesim dhe optimizëm
  • Vizion pune dhe vendosmëri në realizimin e ideve
  • Të profesionalizohet (depolitizim të drejtorëve) me qëllim të përkrahjes së ndryshimeve në përputhje me drejtimet e përcaktuara si prioritare
  • Të ndërtohet sistem i hapur dhe konsistent për aftësimin dhe përsosjen e kandidatëve për drejtor
  • Të bëhet seleksionimi i kandidatëve, ata që aplikojnë, qartë të tregojnë nevojën dhe aftësinë për ndryshime me planet zhvillimore (ndryshime strukturore, përmbajtjesore dhe risive) në shkollë.

(Autori është magjistër për menaxhim dhe udhëheqje në arsim)

P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.