01-08-2021

Zona e ish-fabrikave të Prizrenit shndërrohet në markete apo tokë për banesa

Shkruan:  Qazim Morina

Një numër i madh i punëtorëve kanë humbur vendet e tyre të punës shkaku i pandemisë, që nisi para një viti.

Derisa kryetari i AKB-së Agim Shahini ka deklaruar se sipas raportit që ata posedojnë, në të gjithë Kosovën janë mbyllur mbi 20 mijë operatorë ekonomikë dhe kanë mbetur të papunë mbi 50 mijë persona, për Prizrenin nuk është publikuar ndonjë raport.

Prizreni dikur vlerësohej si një gjigant ekonomik. Para tri dekadash qyteti gumëzhinte nga qarkullimi i autobusëve që transportonin punëtorët në tri turne. Kjo komunë deri në vitet ’90-ta në sektorin shoqëror ka pasur rreth 20 mijë të punësuar. Si qendra e dytë më e madhe në Kosovë, pas Prishtinës, Prizreni ka qenë një zonë bukur e fuqishme ekonomike gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.

Produktet e disa prej fabrikave të Prizrenit si “Printeks-it” asaj të këpucëve “Cona Sport”, pastaj “Filigran-it”,  fabrikës “Progres” dhe të tjerave kanë qenë të njohura jo vetëm në republikat e atëhershme jugosllave, por edhe në disa vende të rajonit.

Referuar shënimeve,  komuna e Prizrenit deri në vitet ’90-ta në sektorin shoqëror ka pasur rreth 20 mijë të punësuar.

Me instalimin e masave të dhunshme nga regjimi i Milosheviqit në Kosovë, në vitin 1990 nisi tatëpjeta për punën e tyre. Pjesa më e madhe e punëtorëve shqiptarë qenë përjashtuar nga puna.

Ndërkaq, pas luftës në Kosovë askush nuk pati vullneti ta riaktivizojë prodhimin, që për shkak të rrethanave të reja të ekonomisë kishte humbur tregun e dikurshëm. Punëtorët s’u kthyen më në vendet e punës, shkaku i fillimit njëherë të procesit të privatizimit.

Ky proces nuk mundi të vinte në lëvizje makineritë e fabrikave, andaj nuk dha ndonjë shenjë shprese, e disa e vlerësuan edhe si proces të dështuar;

Objektet dhe lokacionet e disa ish-fabrikave u shndërruan në markete, hotele, depo, apo në vend të tyre u ngritën edhe godina afaristo-banesore. Pra, vendi ku dikur prodhohej dhe shërbente si pikë që sillte paratë për Prizreni, tashmë është shndërruar në pikë prej nga mblidhen paratë për t’ia dërguar importueseve të jashtëm.

Prizreni nuk arriti ta ruaj as gjigantin “Printeks”, shtypshkronjën “Ramiz Sadiku” , e as furrën e bukës, të cilat do të mbeten vetëm si referenca suksesi të ekonomisë socialiste.

Dikur kanë ekzistuar rreth 40 ndërmarrje shoqërore në rajonin e Prizrenit, ndërsa tashmë pjesa më e madhe e tyre kanë kaluar në procesin e privatizimit,  përderisa tashmë janë shitur, apo kjo ende vazhdon për disa pjesë.

Sipas Mujë Krasniqit nga BSPK në Prizren, një analizë e bërë në vitin 2007 përmes një testi në 34 firma shoqërore, kishte treguar se në momentin e privatizimit në marrëdhënie pune aktive kanë qenë afër 11 mijë punëtorë,  ndërsa mbi 6 mijë sosh nuk ishin të aktivizuar. Shprehur në përqindje del se vetëm 45 për qind e tyre ishin aktiv.

Njohësit e fushës ekonomike vlerësojnë se problemi me i madh i privatizimit  ka të bëjë me faktin se Prizreni,  por jo vetëm ky ka humb dhe për çdo ditë vazhdon ta humb tokën e punueshme, ndërsa në fshatra edhe kullosat e pyjet.  Kjo përbën problem pasi në të ardhmen kur pritet të paraqiten investitor serioz, nuk do të ketë mundësi që askujt t’i ofrohet as edhe një hektar toke, e lëre më sipërfaqe më të mëdha, që zakonisht kërkojnë kompanitë serioze.

Megjithatë, në Prizren ka edhe kompani që kanë filluar të punojnë pas privatizimit dhe se prodhimtaria e tyre fillestare vlerësohet premtuese. Kompania “ABI” që privatizoi Qumështoren dhe Industrinë e Konservimit të Pemëve dhe Perimeve punon me sukses, duke punësuar qindra punëtorë. Po ashtu ka edhe disa kompani tjera më të vogla.

 

Asnjë koment

Comments are closed.