25-11-2024

​Abdixhiku – Kurtit: Politikisht je duke shkuar ku kam dëshirë me të pa, zgjate Zot

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pasur kritika të ashpra për kryeministrin Albin Kurti. Në deklarimin e tij për rritjen e çmimeve të produkteve, ai ka theksuar se inflacioni në Kosovë ka shënuar rekord historik. Derisa ka kërkuar që qeveria të marrë masa në këtë situatë, Abdixhiku u shpreh se politikisht kryeministri është duke shkuar ku ai ka dëshirë ta shoh.

Gjatë debatit parlamentar, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka përsëritur kërkesën për heqjen e akcizës dhe TVSh-së, në mënyrë që të reduktohet çmimi i lëndës së parë.

Ai shtoi se shteti nuk mbahet me paranoja e lëmosha.

“Ndoshta ndërrimi i kostumeve tuaja prej opozitës në pushtet ju bën që të mendoni që gjendja ka ndërruar dhe në vend. Por, e vërteta është krejt ndryshe. Ju nuk keni zhvillim ekonomik, Kosova nuk ka zhvillim ekonomik dhe nuk jeni në gjendje të ndërmerrni as edhe një masë, të përmendni as edhe një masë që dëshmon se ka ndryshim të zhvillimit ekonomik në Kosovë. Jeni në gjendje të përmendni politika sociale, por kështu do të bëheshit vendi i parë në botë që me politika sociale bën zhvillim”, ka thënë ai.

Në organin më të lartë legjislativ, ai u shpreh se Kosova së fundmi ka shënuar rekordin më të lartë historik të rritjes së inflacionit.

“Inflacioni në Kosovë është 13 për qind, brenda një viti, Albin 13 për qind. Rekordi më i lartë historik në Kosovë e që ta kuptojnë të gjithë, ky inflacion nuk vjen prej Albinit, vjen prej luftës së nisur prej Putinit. Por, çështja nuk është çfarë bën Putini, por çfarë bën Albini. Ne kemi punë me Albinin e jo me Putinin”, ka shtuar ai.

Derisa ka folur për rritjen e çmimeve të produkteve, Abdixhiku ka përmendur 50 mijë eurot e deputetit të LVV-së.

“Me 13 për qind inflacion, ato 200 mijë kursime të ministres së Zhvillimit Ekonomik, sot bëjnë 170 mijë euro. E ato 50 mijë euro të atij baxhanakut sot bëjnë 40 mijë euro. Po unë problemin nuk e kam as për 170 mijë vlera të 200 mijëshit, e as për 40 mijë të 50 mijëshit, problemin e kam për ata njerëz që janë në kufinj të mbijetesës shoqërore. Dhe atyre duhet të ju flasim sot Albin”.

Ai shtoi se Kosova po i humb katër vjet me qeverisjen e Albin Kurtit.

“Politikisht je tu shkua ku kam qejf me të pa. Kjo është rruga që unë dua si kundërshtar politik me të pa që po shkon, veç vazhdo. Zgjate Zot…Mos-bërja Albin është njëjtë si korrupsioni, dyja të varfërojnë. Korrupsioni të vjedh e të bën të varfër, mos bërja të varfëron”, ka përfunduar ai.

Asnjë koment

Comments are closed.