Haskuka: Ende nuk dihet burimi i infeksionit të 70 vjeçares nga Korisha
Dje në mëngjes një 70 vjeçare nga Korisha e Prizrenit ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive derisa po trajtohej për koronavirus. Për këtë, ende nuk dihet se kush ishte burimi i infeksionit me këtë virus, derisa ky fshat tash e katër ditë ndodhet në karantinë. Komuna e Prizrenit deri më tani ka shpërndarë 850 kuti ushqimore për familjet e varfra që nuk marrin asistencë sociale.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka thotë se gjendja me COVID-19, është nën kontroll të komunës dhe po bëhen të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e virusit.
Ai ka apeluar te qytetarët në Korishë të respektojnë masat, meqë nuk dihet ende se kush ka qenë burimi i infeksionit.
Ndër të tjera, Haskuka thotë se Prizreni është duke implementuar masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës. Ndërkohë, tregon se për pesë persona janë hapur padi penale për mos respektim të këtyre masave.
“Ndaj pesë personave i është hapur padi penale për mos respektim të masave, sidomos ata që janë në restaurante dhe kafiteri. Por, në të njëjtën kohë ka pasur arrestime mbrëmë për shkak të mos respektimit të lëvizjes, pra ndalesës së lëvizjes pas orës 18:00. Në anën tjetër, në punën për parandalimin e problemeve ekonomike këtu pakoja fiskale e qeverisë është një send i mirë, por në të njëjtën kohë kemi shpërndarë diku rreth 850 kuti ushqimore dhe higjienike familjeve të cilat janë në nevojë. Këto janë familje të cilat nuk janë me ndihmë sociale, por që faktikisht janë familje që kanë punuar pa kontrata, janë në gjendje shumë të rëndë. Do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me shpërndarjen e ushqimeve dhe mjeteve higjienike”, deklaron Haskuka.
Krahas këtyre shërbimeve, i pari i Prizrenit thotë se kanë formuar një ekip të psikologëve që të do të japin shërbimeve përmes telefonit për personat që kanë nevojë.
“Është thirrur sot Kuvendi Komunal për të bërë bartjen e mjeteve nga viti 2019 në vitin 2020. Ndërsa, lidhur me mjetet për luftimin e pandemisë COVID-19, ne si komunë kemi mjete të mjaftueshme, ngase kemi ndarë mjete buxhetore të mallrave dhe shërbimeve qoftë për dezinfektim, për blerjen e mjeteve parandaluese (maskave, dorezave), për pakot ushqimore dhe higjienike dhe për “Alo-Komuna”. Të gjitha këto janë ndarë, dhe këto besoj që janë të mjaftueshme momentalisht”, thekson kryetari i Komunës së Prizrenit.
Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 170 të infektuar me koronavirus, 24 prej tyre janë shëruar, ndërkaq katër kanë humbur jetën