24-11-2024

​Kurti në Ditën e Mësuesit: S’kam prioritet më të lartë se kthimin e dinjitetit të mësuesit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se si shef i ekzekutivit nuk ka prioritet më të lartë se kthimin e dinjitetit të mësuesit. Në shënimin e ditës së 7 Marsit- Ditës së Mësuesit, Kurti tha se shteti do të kujdeset që të krijojë kushtet dhe t’i zbatojë standardet e caktuara, ndërsa, prindërit duhet të kujdesen që edukimi dhe nxitja për lexim t’i përcjellë fëmijët edhe në shtëpi.

Shefi i ekzekutivit ka marrë pjesë në ceremoninë e SBASHK-ut për shënimin e 7 Marsit, ku sindikata ka ndarë mirënjohje për pensionistët.

Kurti tha se për popullin shqiptar asgjë nuk ka ardhur me lehtësi, por gjithçka me shumë punë dhe vetëmohim.

Ai shtoi se është dashur shumë mund e sakrificë, për hapjen e shkollave shqipe.

“Edhe sot si kryeministër i vendit nuk kam prioritet më të lartë sesa kthimin e dinjitetit të mësuesit, të arsimtarit, të mësimdhënësit, sesa kthimin e vëmendjes nga dija e nga arsimi, nga shkenca dhe kultura. Të ardhmen e fitojmë vetëm me dije dhe arsim. Për mua edukimi është takimi i parë i nxënësit me mësuesin. Fundja, fëmija në shkollë e takon shtetin, dhe shteti i vjen para së gjithash si mësues”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se shteti kujdeset të krijojë kushtet, të caktojë standardet dhe t’i zbatojë ato.

“Asnjë program qeveritar nuk mund të heq telefonat nga duart fëmijëve e t’ua bëjë atyre detyrat e shtëpisë. Është mirë që prindërit të kujdesen që edukimi dhe nxitja për lexim t’i përcjellë fëmijët edhe kur ata janë në shtëpi. Në programin tonë qeveritar do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë edukimit dhe mësuesit, së pari do të jetë rritja e cilësisë së mësimdhënies në arsim fillor dhe të mesëm e cila do të bëhet mbi parimin e meritokracisë dhe kurrikulës bazuar në kompetencë dhe zhvillim profesional të mësimdhënësve”, tha ai.

Kurti shtoi se pa reformë në arsim nuk mund të arrihet arsim cilësor, por që reforma nuk duhet të jetë kundër mësimdhënësve, por për mësimdhënësit.

Ai tha se reforma duhet të fillojë nga çerdhet që nuk janë, e deri të edukimi i lartë.

E nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, tha se roli i mësimdhënësve mbetët thelbësor për zhvillim.

“Duhet të bëhemi pjesë e barabartë e shoqërive të zhvilluara edhe në sektorin e arsimit dhe përmes arsimit cilësor. Shkolla në Kosovë duhet të rifitojë rëndësinë e saj tashmë jo të mbijetesës si dikur, por të prodhimit të shkencës e dijës, të krahasueshme me shtetet e zhvilluara që i shërben zhvillimit të shtetit progresit dhe emancipimit tonë shoqëror”, tha ajo.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Arban Abrashi, tha se mësuesit kanë mbajtur gjallë misionin e shkollës shqipe.

“Dita e mësuesit është një rast për të kushtuar nderim e mirënjohje për përpjekjen vetëmohuese në formësimin e karrierës së shumë brezave. Ju i mësuat nxënësit me kujdes dhe sinqeritet, dhe ne e kemi obligim të jemi krahu i juaj”, tha ai.

Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, uroj pensionistët për këtë ditë.

“Është traditë e jona shqiptare që nikoqiri të mos flasë por t’u jap mundësinë e fjalës mysafirëve të nderuar. Andaj unë në fund të fjalës sime, të nderuar pensionistë, ju përshëndes, ju uroj jetë të gjatë të lumtur e gëzofshi pensionin, e gëzofshi edhe ligjin për statutin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Në shënimin e Ditës së Mësuesit, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturë, ka ndarë mirënjohje për pensionistët e arsimit./ksp/

Asnjë koment

Comments are closed.