𝐌𝐛𝐢 𝟏𝟏 𝐦𝐢𝐥𝐢𝐨𝐧ë 𝐞𝐮𝐫𝐨 𝐩ë𝐫 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐦𝐞 𝐠𝐣𝐲𝐪ë𝐬𝐨𝐫𝐞: 𝐤𝐮 𝐬𝐡𝐤𝐮𝐚𝐧 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐭ë 𝐞 𝐏𝐫𝐢𝐳𝐫𝐞𝐧𝐢𝐭 𝐧ë 𝟐𝟎𝟐𝟓
Komuna e Prizrenit, sikurse shumica e komunave në Kosovë, ka pësuar humbje të mëdha financiare si pasojë e vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore, duke detyruar buxhetin komunal të mbulojë miliona euro për lëndë të humbura në gjykata, shkruan Kujdestari.info.
Komuna e Prizrenit ka paguar miliona euro për vendime gjyqësore të formës së prerë, përfshirë pagesa ndaj zyrave përmbarimore, kompanive private dhe institucioneve të ndryshme.
Këto shpenzime janë shpërndarë pothuajse në të gjitha drejtoritë komunale nga Zyra e Kryetarit, Administrata, Arsimi e Shëndetësia, deri te Shërbimet Publike, Emergjenca dhe Zjarrfikësit duke dëshmuar për një problem sistemik të menaxhimit të kontratave, procedurave dhe kontesteve ligjore.
Komuna e Prizrenit, sipas raportit qe e ka parë Kujdestari.info ka shpenzuar mbi 11 milionë euro gjatë vitit 2025 për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore, sipas të dhënave zyrtare të paraqitura në Raportin Financiar Janar–Dhjetor 2025.
Të dhënat tregojnë se obligimet që kanë rrjedhur nga kontestet gjyqësore kanë prekur dy kategori kryesore buxhetore investimet kapitale dhe mallrat dhe shërbimet, duke ndikuar drejtpërdrejt në strukturën e shpenzimeve komunale për vitin raportues.
Shuma totale e paguar për vendime gjyqësore është 11,396,084.60 euro. Kjo shumë përbëhet nga dy kategori kryesore:
Investimet kapitale – mbi 7.3 milionë euro
Nga lista e detajuar e pagesave në kuadër të shpenzimeve kapitale, rezulton se 7,343,992.89 euro janë shpenzuar për vendime gjyqësore dhe përmbarime
Këto pagesa janë bërë përmes dhjetëra transaksioneve gjatë vitit, të shpërndara në disa drejtori komunale, përfshirë:
Shërbimet Publike dhe Emergjencën
Administratën dhe Personelin
Kulturën, Rininë dhe Sportin
Arsimin
Shëndetësinë
Shërbimet Sociale
Zhvillimin Ekonomik
Bujqësinë dhe zhvillimin rural
Në disa raste, pagesat individuale kanë arritur mbi 200 mijë euro për një vendim të vetëm, duke treguar peshën e konsiderueshme të këtyre obligimeve në kuadër të projekteve kapitale.
Mallra dhe shërbime – mbi 4 milionë euro
Raporti përfshin gjithashtu një tabelë të veçantë të pagesave të kryera sipas vendimit gjyqësor në kuadër të kategorisë mallra dhe shërbime.
Nga kjo kategori, gjatë vitit 2025 janë shpenzuar: 4,052,091.71 euro për vendime gjyqësore
Këto pagesa lidhen kryesisht me:
kontrata të humbura në gjykatë
përmbarime të detyrueshme
pagesa sipas Thesarit për sektorë si arsimi, shëndetësia dhe shërbimet sociale
Kush përfitoi më së shumti?
Nga lista e përfituesve të pagesave të lidhura me vendimet gjyqësore, në raport paraqiten në mënyrë të përsëritur disa zyra përmbarimore dhe subjekte juridike.
Sipas shpeshtësisë së transaksioneve dhe vlerave të evidentuara, më së shumti pagesa dhe vlera kumulative rezulton të kenë shkuar drejt:
Permbaruesi Argjent SHPK – me dhjetëra pagesa gjatë vitit, përfshirë edhe pagesa individuale me vlera të larta
Elsa Zyrë Përmbarimore SHPK
BK Partners Zyrja Përmbarimore, si dhe përfitues të tjerë si Agroni SHPK, Reshani Mr, Metaj Enforcement Agent SHPK dhe Alea SHPK
Raporti nuk jep një renditje përfundimtare sipas totalit të përfitimit për secilin përmbarues, por nga numri i lartë i transaksioneve dhe vlerat e shënuara, Permbaruesi Argjent SHPK paraqitet si subjekti me ekspozimin më të madh financiar në këto pagesa.
Ky fenomen nuk e ka prekur vetëm Prizrenin. Pothuajse të gjitha komunat e Kosovës po përballen me pasoja të ngjashme, ku gabimet administrative, kontrata kolektive arsimore, kontratat e dobëta, neglizhenca institucionale apo zvarritjet procedurale përfundojnë me fatura të larta. /Kujdestari.info/








