Sot shënohet 1 Maji i njohur si dita e punëtorëve, që shpesh sikur në Kosovë edhe në Prizren kalohet si një ditë pushimi e feste, ndonëse është ditë proteste për të drejtat e punonjësve. Pra, kjo ditë e pothuajse e ka humbur simbolikën dhe është kthyer në një ditë pushimi, kryesisht për punonjësit në sektorin publik, pasi në atë privat jo të gjithë e bëjnë pushim.
Edhe kjo ditë e gjen Prizrenin dhe komunat përreth me një numër bukur të madh të të papunëve, një pjesë e të cilëve janë të rinj, që pasi kanë mbaruar shkollimin, presin të gjejnë punë.
Në Qendrën rajonale për Punësim në Prizren, si të papunë zyrtarisht janë të paraqitur 2o. 829 persona. Prej tyre 8.840 janë aktiv, që lajmërohen për çdo muaj, ndërsa pjesa tjetër konsiderohet pasiv. Por, dihet se numri i të papunëve është edhe më i madh pasi disa persona, fare nuk lajmërohen në këto zyra, pasi nuk shpresojnë, që përmes kësaj forme të sigurojnë ndonjë vend pune.
Pjesën me të madhe të punëkërkuesve e përbëjnë të rinjtë, gjegjësisht grup mosha nga 25 deri në 39 vjeç, apo rreth 40 për qind e numrit të regjistruar. Në mesin e punëkërkuesve ka persona edhe me kualifikim superior.
Prizrenasit i konsiderojnë vitet e fundit, si gjithnjë e më të vështira për të gjetur një vend pune, duke thënë se kjo po i detyron familjet e tyre të përballen me mungesën e kushteve elementare.
Punëtorët e krahut, N.Bytyçi e L. Gashi, thonë se për çdo mëngjes dalin në treg për të kërkuar punë, herë në lagjen “Bazhdarhane” e herë tek ish-qendra tregtare “Ben-af”, por kërkesat gjithnjë e më tepër po rrallohen. Varësisht nga lloji, një mëditje për punë krahu sillet 12-15 euro. Kërkesat më të shumta janë në ndërtimtari. Një numër i familjeve ndërkaq, ndodhen në asistencë sociale.
Procesi i privatizimit për të cilin shpresohej se mund të vinte në lëvizje makineritë e fabrikave, nuk dha ndonjë shenjë shprese, e disa e vlerësuan edhe si proces të dështuar, pasi fabrikat u shndërruan në markete, hotele, depo, apo në vend të tyre u ngritën edhe ndërtesa banuese.