05-08-2025

“10.7 miliardë euro në gjashtë muaj” – Rritje reale apo efekt i inflacionit?”

Shkruan: Besim Dida / Prizren

Qarkullimi i bizneseve në Kosovë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 ka arritur në 10.7 miliardë euro, që është 10.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas ministrit Hekuran Murati.

Ministri pretendon se kjo është një shenjë e rritjes ekonomike, ndërsa opozita thotë se rritja është rezultat i inflacionit.

Mendoj se, deri diku, të dyja palët kanë të drejtë.

Duke u bazuar vetëm në shifrën prej 10.3%, nuk mund të kuptojmë saktësisht nëse kemi të bëjmë me rritje reale ekonomike apo thjesht me rritje të çmimeve. Rritja e qarkullimit nuk nënkupton automatikisht zhvillim ekonomik, por as nuk mund të thuhet me siguri se është vetëm pasojë e inflacionit.

Për ta vlerësuar saktë situatën, duhet të dimë se sa ka qenë norma e inflacionit gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore. Vetëm atëherë mund të kemi një pasqyrë më të qartë dhe më të saktë për rritjen ekonomike.

Sigurisht që jemi përballur me një inflacion global, nga i cili ndikohet edhe Kosova, por është e pamundur që ky inflacion të jetë i tërë 10.3%. Edhe nëse ka pasur një shkallë të caktuar inflacioni, lind pyetja: Pse nuk kemi parë një rritje të ngjashme më herët, kur inflacioni ka qenë edhe më i lartë?

Fakti që tani kemi një rritje të tillë në një periudhë më të qëndrueshme mund të tregojë për një lëvizje reale në ekonomi,  pra, më shumë konsum dhe ndoshta një besim më të madh të qytetarëve dhe bizneseve në treg, çka sjell edhe investime më të mëdha.

Po, inflacioni ekziston dhe ndikon në ekonomi, por nuk mund të shpjegojë tërë këtë rritje. Ekonomia nuk reagon pa shkak. Nëse po qarkullojnë më shumë para, atëherë ka ndodhur diçka konkrete në terren.

Kritikat janë të nevojshme, por edhe sukseset duhet të pranohen kur ndodhin. Vitet e fundit, ekonomia e Kosovës po arrin rekorde të reja, dhe këto rekorde nuk arrihen vetvetiu.

Asnjë koment

Comments are closed.