25-11-2024

10 ditë fushatë, sot heshtje zgjedhore në Kosovë

Dita e shtunë, 13 shkurt, shënjon zyrtarisht përmbylljen e kohës së fushatës zgjedhore, të cilës i paraprin heshtja një-ditore zgjedhore. Më 14 shkurt, qytetarët drejtohen tek kutitë e votimit për përzgjedhjen e një legjislature të re qeveritare.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare ka filluar më 3 shkurt, e cila ka vazhduar deri më 12 shkurt, respektivisht me një kohëzgjatje prej dhjetë ditësh, shkruan Gazeta Express.

Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare marrin pjesë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Të gjitha partitë garojnë për 120 vende në parlament.

Zgjedhjet për parlamentin e Kosovës zhvillohen në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Në këtë pjesë që nga viti 2013 proceset zgjedhore si ato lokale dhe të përgjithshme, zakonisht janë ndihmuar edhe nga misioni i OSBE-së. Por kësaj radhe është hera e parë që zgjedhjet në tërë territorin e vendit organizohen vetëm nga KQZ-ja.

Për shkak të pandemisë koronavirus, për herë të parë Bashkimi Evropian, nuk do të dërgojë ekipën e saj për vëzhgimin e zgjedhjeve. Mirëpo, stafi i ambasadave dhe vet ambasadorët janë zotuar se do jenë vëzhguesit e procesit të zgjedhjeve, krahas mijëra organizatave jo-qeveritare të Kosovës.

Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit, ka potencuar se institucioni në të cilin vepron është përgatitur për procesin e zgjedhjeve. Ajo ka thënë se, bashkë me gjithë prokurorët dhe stafin përcjellës, kanë finalizuar të gjitha procedurat operative.

“I kemi caktuar 88 prokuror së bashku me 40 zyrtar nga sistemi prokurorial që do të operojnë së bashku me Policinë e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se janë caktuar 30 gjyqtar kujdestar për ditën e zgjedhjeve.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtar kujdestar për t’ju përgjigj kërkesave nga prokuroria e shtetit”, ka theksuar Dërmaku.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 14 shkurt, përkatësisht ditën e diel. /Gazeta Express/

Asnjë koment

Comments are closed.