100 vjet nga vdekja e Bajram Currit (1862-1925)
Bajram Curri u vra në Dragobi, më 29 mars 1925. Në disa anale thuhet se u vetvra.
Varrimi i tij u bë në Krumë të Hasit, në fillim të prillit, ashtu sikurse e kishte lënë amanet, për shkak të besnikërisë së hasjanëve gjatë aktivitetit të tij kombëtar.
Plaku i Maleve, kishte kaluar shumë kohë në Has: Madje atje ai ishte familjarizuar pothuajse me të gjithë dhe rrinte si në shtëpi të vet.
Nga fshatrat e Hasit, Heroi do të niste edhe betejat kryesore luftarake, që nga korriku i vitit 1912 e deri në muajin maj të vitit 1924.
Në varrimin e Bajram Currit morën pjesë mbi 2 mijë pjesëmarrës, në mesin e të cilëve edhe pjesëtarë të pushtetit, që do të thotë varrimi u bë me organizim dhe nderime shtetërore, gjë që të futë në dilema kjo vrasje ( të vrasin natën e të vajtojnë ditën).
Hasan bej Kryeziu, i cili në atë kohë ishte Prefekt i Krumës, në fjalimin e tij, në mes të tjerash tha:
“Sot âsht vra Baba i Shqipnisë. Anmikut po i vjen liksht pse neve kështu po e nderojmë. Megjithse trupi i tij ka mbarue, Shpirti i tij do të mbesin përgjithmonë në mes t’onin. … Ai e ka ndjekun Shqypnin si nâna fëminë e vogël dhe ka luftue për zmadhimin e saj …”
Përfaqësuesi i Qeverisë e mbylli fjalimin e tij duke iu drejtuar njerëzve të shumtë që ishin jo vetëm nga Hasi, por nga të gjitha anët: “Qani o popull për Babën e Shqinisë”.
Pas Prefektit, një fjalë rasti e mbajti edhe Kadia i Krumës dhe në fund edhe një kapiten aktiv i Xhandarmërisë Shqiptare.
Nga fjalët plot domethënie që i karakterizuan fjalimet me rastin e varrimit të Bajram Currit në Krumë të Hasit ishte edhe kjo:
“… Ndigjoni kosovarë e dukagjinas! Na sot po varrosim lirinë e Kosovës sonë.”
Me këtë nënkuptohej se ai ishte një personalitet i madh i luftës për liri dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Njeriu që kontribuoi shumë në hapjen e shkollave shqipe, në mesin e të cilave edhe atë në Krumë të Hasit, Gjakovë e gjetiu.
Shkruar nga Besim Muhadri