21-11-2024

Telefoni i avokatit të Trump është përgjuar nga hakerat kinezë, FBI zbulon çfarë kanë arritur të vjedhin

FBI ka informuar një nga avokatët kryesorë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump se celulari i tij ishte i përgjuar nga hakerët kinezë, i thanë CNN-it tre burime të njohura me çështjen, si pjesë e një operacioni të gjerë që ka si objektiv politikanët kryesorë të Partisë Republikane dhe Demokratike në SHBA, një operacion që ka nisur që prej muajsh.

FBI-ja e informoi avokatin, Todd Blanche, javën e kaluar se hakerët arritën të merrnin disa regjistrime zanore dhe mesazhe nga telefoni i tij, por asnjë nga këto informacione nuk kishte lidhje me Trump, tha një nga burimet. FBI-ja i dha Blanche-it, i cili ka nisur të përdorë një numër tjetër pas këtij incidenti, ato që kishin marrë hakerët, përfshirë komunikimet me familjen, shtoi burimi.

Blanche është i dyti nga dy avokatët e Trump-it që besohet se janë bërë objekt i sulmeve nga hakerët e huaj. CNN raportoi në gusht se avokati Lindsey Halligan ishte shënjestruar si pjesë e një përpjekjeje të hakerëve iranianë, megjithëse momenti i tentativës dhe përmasat e çdo shkeljeje të mundshme të pajisjeve ose llogarive të saj mbeten të paqarta.

Hakerët kinezë kanë shënjestruar gjithashtu figura të tjera të larta në orbitën e Trump-it, përfshirë Trump-in vetë dhe Zëvendëspresidentin e zgjedhur JD Vance. Objektiva të tjerë ishin dhëndri i Trump-it, Jared Kushner, dhe djali i tij Eric Trump, anëtarë të fushatës Harris-Walz dhe anëtarë të administratës Biden, sipas raporteve të mëparshme të CNN.

Kjo përpjekje e sofistikuar e hakerimit ka shqetësuar zyrtarët e sigurisë kombëtare për shkak të aksesit të thellë që hakerët kinezë kanë marrë në regjistrat e telefonatave dhe mesazheve të personaliteteteve të shquara amerikane.

Zyrtarët amerikanë që po hetojnë fushatën e hakerimit, e cila ka kaluar përmes depërtimeve në kompani amerikane të telekomunikacionit si AT&T, Lumen dhe Verizon, e konsiderojnë këtë sulm si një nga më shqetësuesit lidhur me sigurinë kombëtare në vitet e fundit.

Qeveria kineze ka mohuar akuzat e SHBA-së se ajo qëndron pas këtij sulmi./GS

Asnjë koment

Comments are closed.