Sekuestrohen pasuritë e Monika Kryemadhit dhe nënës së saj
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi sot sekuestrimin e disa prej pasurive të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhit.
Sekuestrimi i dy vilave të deputetes dhe nënës së saj në zonën e Selitës në Tiranë u zbatua pas kërkesës së SPAK.
Dy vilat në pronësi të deputetes janë me sipërfaqe të njëjtë në total nga 448.9 m2.
“Mbi bazën e kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes vendimit nr.640 të datë 15 nëntor 2024, ka vendosur masën e sigurimit pasuror ‘Sekuestro preventive’ për dy prona në pronësi të shtetasve F.K dhe M.K.
Kjo masë vjen si vijim i veprimeve hetimore dhe proceduriale në lidhje me procedimin penal nr. 122 të vitit 2022, raporton Topchanel.
Pasuritë e sekuestruara janë:
Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe;
kati përdhes, 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë;
kati nëntokë 139 m2,
kati i parë 79 m2,
kati i dytë 51 m2, verande kati i dytë 27.9 m2 – në pronësi të shtetases F.K., me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”.
Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe;
kati përdhes 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë,
kati nëntokë 139 m2,
kati i parë 79 m2,
kati i dytë 51 m2, verandë kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të M.K.,
me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit””, thekson SPAK.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme është ekzekutuar nga policia gjyqësore në datat 19 dhe 20 Nëntor 2024, duke vendosur bllokimin e pasurive në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe duke ua komunikuar këtë vendim pronarëve të pasurive./TCH