04-01-2025

Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totajt

Vetëvendosje në Prizren ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Komunës, Shaqir Totajt, të cilin e fajëson për shpërthimin e mbrëmshëm të mjeteve piroteknike,  si pasojë e të cilit u lënduan dy persona dhe pati shumë dëme materiale.

Në komunikatë , thuhet se Lëvizja Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit Shaqir Totaj, si dhe llogaridhënie për të gjitha shpërdorimet dhe papërgjegjësitë që e kanë shoqëruar mandatin e tij deri më tani.

Në komunikatë,  janë paraqitur edhe fotot e shpërthimit dhe në anën tjetër të kremtimit të Totajt në qytet.

Komunikata e plotë:

 Kërkesa jonë e qartë dhe e drejtpërdrejtë për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësirat publike u prit me injorim dhe tallje nga kryetari, duke dëshmuar se për të, rendi publik, shëndeti dhe siguria e qytetarëve nuk janë prioritare.

Aksidenti i fundit tragjik i shkaktuar nga fishekzjarrët është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij keqmenaxhimi dhe neglizhence. Ky incident, i cili mund të ishte shmangur, është tregues i qartë se menaxhimi i Komunës është bërë me arrogancë dhe pa përgjegjësi ndaj interesave të qytetarëve.

Për ne, është e papranueshme që një kryetar komune t’i shmanget detyrës së tij dhe t’i injorojë thirrjet për veprime konkrete që kanë të bëjnë me jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Komuna e Prizrenit nuk meriton një udhëheqës që e trajton menaxhimin publik si një lojë dhe qytetarët si të parëndësishëm.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit Shaqir Totaj, si dhe llogaridhënie për të gjitha shpërdorimet dhe papërgjegjësitë që e kanë shoqëruar mandatin e tij deri më tani. Prizreni meriton një udhëheqje që kujdeset për jetën, shëndetin, rendin dhe qetësinë publike – jo një kryetar që luan me fatin e qytetarëve.

Ne do të vazhdojmë të angazhohemi pa kompromis për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, të përgjegjshme dhe të ndjeshme ndaj kërkesave të tyre.

Mund të jetë një imazh i zjarr

Mund të jetë një imazh i 6 persona dhe teksti

Mund të jetë një imazh i 6 persona, turmë dhe teksti

Asnjë koment

Comments are closed.