Policia thirrje për kujdes, thotë se është rritur numri i mashtrimeve përmes SMS-ve
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes nga mashtrimi nëpërmes mesazheve telefonike.

Në një njoftim të Policisë thuhet se kanë vërejtur një rritje të ankesave të qytetarëve për raste të mashtrimeve përmes mesazheve telefonike (SMS).
Sipas Policisë, qytetarët pranojnë mesazhe që përmbajnë vegëza të dyshimta dhe duke klikuar në to, mashtruesit mund të fitojnë qasje në llogaritë bankare të qytetarëve ose të dhëna të tjera personale.
Me këtë rast thuhet se nga llogaritë bankare në mënyrë të paligjshme të dyshuarit përfitojnë të holla.

“Për t’i mbrojtur qytetarët nga mashtrime të tilla bëjmë thirrje dhe apel të merren parasysh këshillat e mëposhtme. Mos klikoni asnjë link të dyshuar që i pranoni përmes mesazheve (SMS) telefonike. Mos jepni të dhënat tuajt personale si fjalëkalime apo informacione bankare përmes faqeve të panjohura. Verifikoni çdo mesazh të dyshimtë duke kontaktuar drejtpërdrejt institucionin ose kompaninë që pretendohet se ju ka dërguar mesazhin. Raporto rastin tek autoritetet përkatëse ose ta banka e juaj (të bllokojnë transferin e të hollave) nëse keni dhënë informacione të ndjeshme”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë thirrje që nëse keni dyshime ose keni rënë viktimë e një mashtrimi të tillë, të kontaktoni menjëherë autoritetet përkatëse policore.
“Për sigurinë tuaj, tregohuni të kujdesshëm dhe mos bini pre e mashtrimeve”, thuhet në njoftim