31-03-2025

Policët s’u kompensuan për ndërrimet e natës dhe orët shtesë, Sindikata kërkon reagim urgjent nga Qeveria

Nga një reagim i Sindikatës, del se në prag të festave zyrtarët policorë ende nuk kanë marrë kompensimin e merituar për punën e tyre gjatë ndërrimeve të natës dhe orëve shtesë, duke u përballur kështu me pasiguri financiare që ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.

Reagimi i plotë i Sindikatës:

Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me vonesën në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.

Në prag të festës, policët nuk e kanë marrë pagën e merituar, e cila është e domosdoshme për planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme. Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje.

Sindikata e Policisë e Kosovës kërkon nga Ministria e Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura, duke siguruar kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë, në përputhje me të drejtat ligjore të zyrtarëve policorë. Kjo është e nevojshme për të ruajtur motivimin dhe angazhimin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike.

Sindikata e Policisë e Kosovës do të ndjekë këtë çështje nga afër dhe nuk do të hesht derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e zyrtarëve policorë dhe të kërkojmë zgjidhje të shpejta dhe të qëndrueshme për këtë çështje.

Sindikata e Policisë së Kosovës

Asnjë koment

Comments are closed.