Asambleisti Sokoli: Pushteti i PDK-së nënvlerëson “DokuFest-in”, favorizohet OJQ e afërt me kryetarin Totaj ( DOK. )
Anëtari i LVV-së në Kuvendin e Prizrenit, Selman Sokoli, përmes një postimi në ‘facebook’ ka reaguar ndaj vendimit të Komunës së Prizrenit për ndarjen e subvencioneve kulturore, duke denoncuar faktin se një OJQ e sapohapur, e lidhur me rrethin e ngushtë të kryetarit Totaj, ka përfituar 2.33 herë më shumë fonde sesa vetë festivali ndërkombëtar DokuFest.

Reagimi i plotë i Selman Sokolit:
DokuFest nuk është thjesht një festival, është identitet, është dritare e Kosovës në botë.
Qyteti i Prizrenit ka pasur gjithmonë një rol të veçantë në kulturën dhe imazhin e Kosovës jashtë vendit. Në këtë drejtim, DokuFest është flamurtari kryesor: një festival ndërkombëtar filmi dokumentar dhe të shkurtër, që ka sjellë mijëra vizitorë nga e gjithë bota, ka promovuar vlerat tona, dhe ka gjallëruar ekonominë lokale, turizmin, rininë dhe kulturën në Prizren.
Por sot, me Shaqir Totajn dhe PDK-në pushtet, një OJQ e sapohapur nga rrethi i ngushtë i vetë kryetarit të Prizrenit, ka marrë 2.33 herë më shumë subvencion se vetë DokuFest-i.
Ky nuk është thjesht një vendim financiar. Ky është një mesazh i Totajt: se puna shumëvjeçare, ndershmëria dhe impakti ndërkombëtar, vlejnë më pak se lidhjet personale dhe interesat e ngushta të pushtetarëve lokal të PDK-së.
DokuFest nuk është pronë e askujt, është trashëgimi e përbashkët kulturore. Dhe ne, qytetarët e Prizrenit e të Kosovës, kemi të drejtë të kërkojmë transparencë, meritokraci dhe drejtësi në mënyrën si shpërndahen fondet publike.