Albian Hajdari kalon zyrtarisht te Hoffenheim
Albian Hajdari ka hedhur një hap të madh në karrierën e tij profesionale. Mbrojtësi 22-vjeçar është transferuar nga Lugano te Hoffenheimi në Bundesligë, një nga pesë kampionatet më të forta në Evropë.
I konsideruar si një prej talenteve më premtues të përfaqësueses së Zvicrës, Hajdari ka qenë ndër lojtarët kryesorë të Luganos, ku u afirmua si shtyllë e mbrojtjes.
Edhe pse kishte interesim për kalim në Ligën Premier, mbrojtësi kosovar përfundoi në Gjermani, ku do të luajë përkrah futbollistëve me origjinë shqiptare, Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu.
Ky transferim erdhi si pasojë e lëndimit serioz të Koki Machidas, duke krijuar hapësirë për një qendërmbrojtës të ri në ekipin gjerman.

Hajdari është formuar si futbollist te Baseli dhe Juventusi, ndërsa që nga viti 2022 ishte pjesë e Luganos. Për klubin zviceran ka zhvilluar 110 ndeshje, ndërsa në Superligën zvicerane ka regjistruar 91 paraqitje, krahas edhe 11 të tjera në Ligën e Konferencës dhe Kupën zvicerane.
“Mezi pres ta filloj sfidën te Hoffenheimi dhe në Bundesligën gjermane, një nga top-ligat evropiane. Bisedimet me drejtuesit e klubit ishin shumë të mira. Synimi im është të jap gjithçka në fushë dhe të kontribuoj për realizimin e objektivave të skuadrës”, ka deklaruar Hajdari.