Të shtëna me ar*më në një aheng familjar në Prizren, ndalohet 37-vjeçari
Një incident me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Tupec të Prizrenit, ku gjatë një ahengu familjar janë dëgjuar të shtëna, duke shkaktuar panik te të pranishmit.
Sipas burimeve nga Prokuroria, rreth orës 20:00, patrulla e Stacionit Policor të Prizrenit ka reaguar pas marrjes së informatës për të shtëna me armë përballë një restoranti , në një shtëpi private.
Në vendngjarje, policia ka kontaktuar me pronarin e shtëpisë, V. D. rreth 37-vjeçar i cili ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri gjatë ahengut dhe ka dorëzuar armën së bashku me 10 fishekë.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, nuk janë gjetur gëzhojat, pasi i dyshuari i kishte larguar paraprakisht. Në vend kanë dalë njësitë e hetimeve dhe krim-teknikës, të cilat kanë kryer procedurat e nevojshme hetimore.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.