Avullohen afro 25 mijë euro nga banesa në Shtime – dyshohet për vjedhje nga brenda
Një rast i pazakontë vjedhjeje së rëndë është raportuar në rrugën “14 Dhjetori” në Shtime, ku një qytetar ka njoftuar policinë se i janë “avulluar” 24 mijë e 800 euro nga banesa e tij, pa asnjë shenjë depërtimi.
Sipas burimeve të sigurta, ankuesi Sh.N rreth 65-vjeçar ka deklaruar se paratë i kishte ruajtur në një fiokë të ormanit që nga 22 gushti 2025, ndërsa të dielën, më 19 tetor 2025, ka vërejtur se shuma kishte humbur.
Ai ka sqaruar se jeton vetëm me bashkëshorten, ndërsa kohë pas kohe e viziton djali i tij, i cili jeton veçmas. Megjithatë, banesa nuk është gjetur e thyer apo e dëmtuar, çka ka shtuar dyshimet se paratë mund të jenë marrë nga dikush që ka pasur qasje brenda shtëpisë.

Për shkak të shumës së madhe të raportuar si e vjedhur, në rast janë përfshirë njësitë rajonale të Hetimeve të Ferizajt, të cilat tashmë po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Lidhur me ngjarjen është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka autorizuar që të thellohen hetimet për të zbuluar autorin dhe motivin e mundshëm të vjedhjes.
Rasti është inicuar si “Vjedhje e Rëndë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.