“120 euro vota” – aktakuzë për blerje votash ndaj burrit të drejtoreshës së Bali Muharremajt
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Yll Rraqit, bashkëshortit të Drejtoreshës së Kulturës në Komunën e Suharekës, Albulena Kokollari, nën dyshimin se ka bërë blerje votash në vlerë prej 120 euro ndaj qytetarit me inicialet B.K.
Sipas aktakuzës, më 12.10.2025, në fshatin Budakovë, Komuna e Suharekës, i pandehuri Yll Rraqi ka ofruar shumën prej 120 euro për të pandehurin B.K., me qëllim që ky i fundit të votojë në favor të kandidates për Asamble Komunale, bashkëshortes së tij, Albulena Kokollari, e cila ishte në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Tutje në aktakuzë theksohet se burri i drejtoreshës i ka kërkuar qytetarit t’ia verifikojë përmes telefonit se ia ka dhënë votën gruas së tij, dhe vetëm pas kësaj ia ka dorëzuar shpërblimin.

“…dhe për verifikimin e votimit, i pandehuri Y.Rr. ka kërkuar të shohë telefonin e B.K., pas së cilës i ka dorëzuar shpërblimin…”, thuhet në aktakuzë./ Gazeta Sinjali
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
