EULEX-i rekomandon kamera në uniformat e policisë për të parandaluar keqtrajtimet
EULEX-i ka monitoruar 25 raste ku ishin të përfshirë zyrtarët policorë dhe ka gjetur se në shumicën e rasteve dhuna ndaj viktimave ka ndodhur jashtë ambienteve të policisë. EULEX-i ka rekomanduar nisjen e përdorimit të kamerave në uniformat e zyrtarëve policorë. Rekomandimi është përkrahur edhe nga ekspertët e sigurisë
Rrahja me shqelma, shuplaka e goditje me shkopinj gome janë disa nga keqtrajtimet e pretenduara që zyrtarët policorë u kanë bërë të ndaluarve, ka konstatuar misioni i BE-së për sundimin e ligjit – EULEX.

Sipas një raporti të EULEX-it, bazuar në shqyrtimin e aktgjykimeve që lidheshin me këto keqtrajtime gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndaj 22 viktimave dhuna ka ndodhur jashtë ambienteve të policisë e për 11 të tjerë brenda ambienteve të policisë.
EULEX- i këto pretendime i ka nxjerrë nga monitorimi i 25 rasteve.
![]()
“Bazuar në shqyrtimin e aktgjykimeve është e qartë se nga 41 zyrtarë policorë të akuzuar në ato 24 raste, 18 ishin pjesë ‘e njësive speciale’ të ndryshme (44%), 15 u përkisnin njësive të rregullta ose njësia e tyre nuk ishte e specifikuar në aktgjykim (37%), pesë ishin hetues (12%) dhe tre ishin nga policia e trafikut (7%). Rastet përfshinin gjithsej 29 viktima, përfshirë tre të mitur”, thuhet në raportin e EULEX-it.

“Në raste të shumëfishta, hetimet fillestare u nisën disa javë pas akuzave publike, duke çuar në uljen e disponueshmërisë së provave. Intervistat me personat e përfshirë (zyrtarë policorë, viktima të dyshuara dhe dëshmitarë) ndonjëherë u mbajtën me vonesa, ndonjëherë disa muaj pas incidentit, edhe kur identiteti i tyre ishte i njohur; kjo qasje mund të rezultojë në uljen e vlerës së provave dhe të rrisë rrezikun e deklaratave të koordinuara. Ndërsa vonesat për mbajtjen e intervistave mund të arsyetohen me prioritete operative dhe mungesë të personelit, duhet të merret në konsideratë se mungesa e shpejtësisë mund të ndikojë në efektivitetin e përgjithshëm të hetimeve”, thuhet në raport.

Në rekomandimet e EULEX-it thuhet se përmes trajnimeve, zyrtarët policorë duhet të marrin mesazhin se çdo formë e keqtrajtimit është e paligjshme dhe duhet të ndëshkohet./GS
