11-vjeçari ukrainas rrëfen humbjen e nënës në luftë, përlot edhe Parlamentin Evropian – Video
Një histori e dhimbshme nga Ukraina ka prekur zemrat e eurodeputetëve dhe opinionin publik ndërkombëtar.
Roman Oleksiv, një djalë 11-vjeçar nga Lviv, i plagosur rëndë nga një raketë ruse në vitin 2022, rrëfeu humbjen e nënës së tij gjatë një seance në Parlamentin Evropian në Bruksel.
Gjatë fjalës së tij, një përkthyese e Parlamentit Evropian, e cila po përkthente mesazhin nga ukrainishtja në anglisht, shpërtheu në lot dhe pati vështirësi të vazhdonte përkthimin. Momenti u regjistrua në video dhe u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, duke u bërë simbol i dhimbjes së fëmijëve ukrainas të prekur nga lufta.

Roman kujtoi se në sulmin ndaj spitalit ku ndodhej, humbi jetën e nënës, ndërsa ai vetë mbeti i plagosur rëndë.
“Kam qenë në koma për më shumë se 100 ditë dhe kam kaluar nëpër shumë operacione që nga ajo kohë”, rrëfeu ai para ligjvënësve evropianë.

Historia e tij u prezantua në kuadër të shfaqjes së një dokumentari mbi fëmijët ukrainas, viktima të luftës dhe të rrëmbyer nga Rusia.
Oleksiv është kthyer tashmë në një simbol të rezistencës së fëmijërisë ukrainase, duke përfaqësuar dhimbjen, por edhe forcën e pafajshme të një brezi që po rritet mes shkatërrimit.
Më 10 dhjetor, 11-vjeçari mbërriti në Bruksel ku, gjatë shfaqjes së dokumentarit për fëmijët ukrainas viktima të luftës, ndau historinë e tij me eurodeputetët, duke i nxitur që “të mos dorëzohen kurrë, sepse kur jemi bashkë, jemi të fortë”.
Në këtë aktivitet u prezantuan filmat “Romchyk”, “Children for Putin” dhe “Chili”, të cilët pasqyrojnë realitetin e dhimbshëm të fëmijëve të prekur nga agresioni rus.

