Mbi 1.700 bimë kanabis në Malishevë – arrestohet në Shqipëri i dyshuari dhe transferohet në Kosovë
Një rast i rëndë i kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Malishevës ka marrë epilog pas më shumë se një viti hetimesh intensive, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burime të sigurta bëjnë të ditur se më 28 janar 2026, rreth orës 13:00, autoritetet e ILECU-së kanë arrestuar në Republikën e Shqipërisë të dyshuarin O. Shehu, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për veprën penale “Kultivim i bimëve të kanabisit”.
Pas arrestimit, i dyshuari është transferuar në Kosovë dhe është dorëzuar te Njësia e DHTN-Gjakovë.

Rasti lidhet me një operacion policor të zhvilluar më 21 qershor 2024, në zonë malore të fshatit Panorc, Malishevë, ku njësitet e DHTN-Gjakovë kishin identifikuar tri parcela të mbjella me gjithsej 1.757 bimë kanabis sativa, me lartësi nga 20 deri në 70 centimetra.
Pas identifikimit të parcelave, policia kishte nisur hetime me masa të fshehta, kishte marrë mostra dhe kishte numëruar bimët. Më 11 qershor 2024, gjatë zhvillimit të hetimeve, ishte vërejtur se një pjesë e bimëve dhe mjeteve të punës ishin larguar nga të dyshuarit, ndërsa bimët e mbetura ishin asgjësuar në vendngjarje përmes djegies, në konsultim me Prokurorin e rastit. Dëshmitë materiale janë ekzaminuar në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF).

Pas transferimit në Kosovë, Shehu është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë. Rasti, që fillimisht ishte iniciuar ndaj personave NN, vazhdon të hetohet nga Njësia DHTN-Gjakovë, ndërsa nuk përjashtohen veprime të tjera hetimore dhe ndalime shtesë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
