Dita Botërore e Tuberkulozës – Spitali i Prizrenit apelon për ndërgjegjësim dhe angazhim të përbashkët kundër sëmundjes
Me rastin e shënimit të Dita Botërore e Tuberkulozës, Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka bërë thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit dhe intensifikimin e përpjekjeve për eliminimin e kësaj sëmundjeje, e cila vazhdon të mbetet një kërcënim serioz për shëndetin publik.
Nga ky institucion shëndetësor bëhet e ditur se trajtimi i tuberkulozit realizohet në Repartin e Pulmologjisë, ku ofrohen shërbime të specializuara për diagnostikim dhe trajtim. Pacientët me dyshime për tuberkuloz i nënshtrohen vizitave mjekësore, analizave të këlbazës (BK), testit të lëkurës (PPD), bronkoskopisë dhe procedurave të tjera diagnostikuese. Ndërkohë, trajtimi me barna antituberkulare ofrohet falas për të gjithë pacientët.

Spitali gjithashtu realizon përpunimin e kontakteve të pacientëve, ku përfshihen ekzaminimet e familjarëve dhe të afërmve, përmes radiografisë së mushkërive dhe testimit PPD, me qëllim zbulimin e hershëm të rasteve latentë.
Shpërndarja e rasteve sipas komunave tregon se Prizreni prin me 31 raste, pasuar nga Malisheva me 17, Suhareka me 13, Rahoveci me 4 dhe Mamusha me 1 rast, ndërsa në Dragash nuk është regjistruar asnjë rast.
Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 116 punkcione pleurale, 261 teste PPD dhe 466 analiza BK. Po ashtu, të gjithë pacientët janë testuar edhe për HIV. Sipas spitalit, 39 pacientë kanë përfunduar me sukses trajtimin, ndërsa nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Reparti i Pulmologjisë përbëhet nga 6 mjekë pulmologë dhe 11 infermierë, ndërsa udhëhiqet nga Sevim Brina, shefe e repartit, dhe Muharrem Purova, kryeinfermier.
Dita Botërore e Tuberkulozës lidhet me vitin 1882, kur shkencëtari Robert Koch zbuloi bacilin e tuberkulozit, një moment kyç në historinë e mjekësisë që hapi rrugën për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes.

Nga Spitali i Prizrenit theksohet se lufta kundër tuberkulozit kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe ndërgjegjësim shoqëror, duke apeluar për bashkëpunim të gjerë për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme dhe një botë pa tuberkuloz.


