19-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident tragjik në Austri
Një 19-vjeçar me prejardhje nga Kosova ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën Eferdinger, në Alkoven të Austrisë, pas një aksidenti të rëndë trafiku.
Sipas mediave lokale, i riu ishte përplasur me një kamion, ndërsa bëhet e ditur se përplasja ka qenë shumë e fortë, saqë shoferi ka mbetur i bllokuar brenda automjetit dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për ta nxjerrë.
Vdekja e tij është konstatuar nga mjekët në vendin e ngjarjes, ndërsa janë njoftuar edhe familjarët për rastin tragjik.
Si erdhi deri te ky aksident?
Media austriake “orf” ka raportuar se i riu nga Kosova, i cili jetonte në Eferding, ishte duke u nisur për në punë pak pas orës 07:00 të mëngjesit të së shtunës.
Për arsye ende të panjohura, ai ka dalë në shiritin e kundërt të rrugës, siç kanë deklaruar shoferë të tjerë.

Kamioni me të cilin u përplas i riu nga Kosova po drejtohej nga një 63-vjeçar. Makinat janë ndeshur kokë më kokë dhe më pas janë rrokullisur.
Goditja ka qenë aq e fortë sa shoferi i ri ka mbetur i ngujuar në automjetin e shkatërruar dhe ka pësuar lëndime të rënda.
Një mjek që ndodhej rastësisht pranë vendit të ngjarjes ka ofruar menjëherë ndihmën e parë. Më pas kanë intervenuar edhe zjarrfikësit e Brigadës Polsing dhe Alkoven, të cilët e kanë nxjerrë të riun nga rrënojat, por ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Një kushëri i viktimës ka arritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ka informuar babanë e 19-vjeçarit për tragjedinë.
Familjarët kanë marrë edhe mbështetje psikologjike, ndërsa shoferi i kamionit ka pësuar tronditje nga ngjarja./ G.S

