Në Prizren ka shënuar rënie nataliteti. Krahasuar me vitin paraprak, gjatë vitit 2018 në Qendrën Spitalore të Prizrenit, numri i lindjeve ka shënuar rënie, ndërsa sa i përket gjinisë, rënia më e madhe është vërejtur tek ajo mashkullore, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Dr. Afrim Avdaj, drejtor i qendrës “Dr. Daut Mustafa” të Prizrenit, tha se gjatë vitit 2018 nataliteti ka shënuar rënie, meqë kanë lindur 3.422 foshnja, apo 128 më pak se në vitin 2017, kur janë regjistruar 3.550 sosh.
Për dallim nga viti paraprak, gjatë 2018-ës ndërkaq është rritur numri i lindjeve gemellare (binjak), të cilat janë shtuar për 11 sosh. Në librin e repartit përkatës janë të regjistruara 40 raste të tilla.
Karakteristikë e vitit që shkoi ishte një rast i lindjes trenjakësh (Tregemeni). Një grua nga fshati Skorobisht afër Prizrenit, në lindjen e tretë me radhë, në dhjetor solli në jetë tri foshnja, të tre djem.
Kryeinfermierja në repartin Obstetrik (salla e lindjes), Leonora Hoxha thotë se sa i përket gjinisë, është karakteristikë se një rënie më e madhe është vërejtur tek ajo mashkullore, pasi më 2018 kanë lindur 143 djem më pak se vitin paraprak, kur janë regjistruar 1.924
“Rënie ka edhe tek vajzat për 15 më pak se në vitin 2017, kur janë regjistruar 1.626 foshnja të kësaj gjinie”, tha për “GazetaePrizrenit.net” ajo.
Sa i përket gjinisë në vitin 2018, në Prizren dominon ajo mashkullore. Dallimi është për 140 foshnja në favorin e tyre.
Në anën tjetër, zyrtarët arsimorë të Prizrenit e Suharekës, kanë thënë për “GazetaePrizrenit” se në harkun kohore brenda dy vjetësh, për shkak të rënies së numrit të nxënësve, pothuajse është shuar nga një shkollë fillore. Pos rënies së natalitetit, një shkak tjetër që ka ndikuar në pakësimin e numrit të fëmijëve në institucionet edukative është edhe migrimi. /GazetaePrizrenit.net/