11-03-2025

130 gra abortuan me vetëdëshirë në vitin 2024 në Kosovë

Në nëntë muajt e vitit 2024 u bënë 130 aborte. Të gjitha këto me vetëdëshirën e nënave, të realizuara në klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pak më pak aborte se në vitin 2024 u bënë gjatë vitit 2023. Pra përgjatë asaj periudhe u bënë 109 ndërprerje të shtatzënisë.

Kështu pati bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj gjatë vitit të kaluar.

Sipas nenit 6 mbi Ligjin për Ndërprerje të Shtatzënisë, ky proces mund të bëhet deri në fund të javës së dhjetë të shtatzënësisë dhe nëse ky veprim bëhet pas javës së 10-të, atëherë është në kundërshtim me Ligjin e Shëndetësisë.

Ndërkaq, neni 15 pika 1 e po të njëjtit ligj thotë se ndërprerja e shtatzënësisë për arsye mjekësore në rastet ku konstatohet se vazhdimi i shtatzënësisë, ose lindja e fëmijës rrezikon jetën ose shëndetin e femrës mund të bëhet në çdo periudhë të shtatzënësisë.

Ndërsa, aborti me motiv të përzgjedhjes se gjinisë së frytit është e ndaluar me ligj.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, afërsisht 73 milionë aborte të induktuara ndodhin në mbarë botën çdo vit, me 61% të të gjitha shtatzënive të padëshiruara dhe 29% të të gjitha shtatzënive në përgjithësi përfundojnë me një abort.

Vendi që ka më së shumti abort është Kina, ku vlerësohet se kryhen rreth 6.9 milionë çdo vit.

Asnjë koment

Comments are closed.