11-08-2025

14 – vjeçari nga Rahoveci i raportuar i zhdukur, gjendet në hotel në Prishtinë me dy persona madhor – vodhën kutinë e ndihmave në Prizren

Një 14-vjeçar nga Rahoveci, i cili u raportua i zhdukur më 9 gusht 2025, është gjetur nga policia në një hotel në Prishtinë, së bashku me dy persona madhor, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti u raportua nga babai i tij, L. I. rreth 44-vjeçar, i cili kishte deklaruar se djali i tij L.I. rreth 14-vjeçar ishte larguar nga shtëpia dhe nuk kishte kontaktuar me familjen. Dyshohej se ai ndodhej në shoqërinë e dy personave madhor, L. Shabani dhe B. Shabani (Mullabazi), pasi ishte parë në një video në rrjetin social Snapchat.

Më 10 gusht, rreth orës 23:30, Stacioni Policor i Prishtinës ka informuar se i mituri ishte hasur në një hotel në kryeqytet së bashku me Bezad Mullabazin rreth 27-vjeçar dhe Luan Mullabazin rreth 25-vjeçar, ku policia ka gjetur edhe lëndë narkotike.

Në deklaratën e tij, i mituri ka thënë se më 9 gusht kishte shkuar me Luan Mullabazin në Prizren, ku në qendrën tregtare “Abi Çarshia” kishin vjedhur një kuti me ndihma për jetimët e Ballkanit. Më pas kishin qëndruar një natë në hotel dhe të nesërmen, më 10 gusht, iu ishte bashkuar Bezad Mullabazi, me të cilin udhëtuan drejt Prishtinës me taksi.


Pas gjetjes, i mituri është kthyer në Stacionin Policor Rahovec në prani të prindit, ndërsa Luan Mullabazi është shoqëruar në SP Prizren për procedurat e mëtejshme. Prokurorja kujdestare për të mitur ka udhëzuar që rasti “Person i zhdukur” të mbyllet, ndërsa rasti i vjedhjes të trajtohet nga policia në Prizren.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

Asnjë koment

Comments are closed.