25-11-2024

16 të rinj nga Kosova kamuflohen si ekip sportiv për t’u futur ilegalisht në Itali

Dhjetë persona, shtetas të Kosovës, janë arrestuar sot në Portin e Durrësit.

Të njëjtit dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të ndihmuar 16 shtetas të mitur nga Kosova, që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Italisë.

Shtetasit e arrestuar janë prezantuar si anëtarë të bordit të ekipit sportiv që përbëhej nga 16 shtetasit e mitur që ata po shoqëronin.

“Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara në PKK Durrës, në kuadër të planit të masave për festat e fundvitit, bazuar dhe në inteligjencën informative për një rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ekipi”, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 10 shtetas: B. B., 48 vjeç, D. Sh., 32 vjeç, D. G., 36 vjeç, F. B., 21 vjeç, F. Gj., 54 vjeç, A. D., 21 vjeçe, Q. K., 20 vjeçe, E. D., 21 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe B. H., 37 vjeç, të gjithë banues në Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, nga veprimet hetimore, thuhet se ka rezultuar se të miturit dhe prindërit e tyre u kanë dhënë këtyre shtetasve, 3000 – 4000 euro, për t’i ndihmuar të miturit që të hynin në Itali, ku më pas dyshohet se do të kërkonin azil.

“Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. H. ka organizuar transportimin e shtetasve të mitur dhe të personave të tjerë tashmë të arrestuar, nga Kosova në Kukës dhe më pas në Durrës, me autobusin e një kompanie turistike në Prishtinë. Gjatë kontrollit fizik, Policia i ka gjetur këtij shtetasi 5945 euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, është bërë e ditur në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.