24-11-2024

20 vjet nga Beteja e lavdishme e Kabashit mbi Korishë

Sot bëhen 20 vjet nga Beteja e Kabashit, ku ranë dëshmorë tre ushtarë të UÇK-së, ndërsa humbje të mëdha pësuan edhe forcat ushtarake-policore serbe.

Mesin e muajit mars të vitit 1999, rajonin e Prizrenit e karakterizuan dy beteja të përgjakshme në luftë për liri, në të cilat djemtë e UÇK-së treguan trimërinë e tyre në beteja të pabarabarta, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Disa ditë para fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-së, forcat serbe ishin egërsuar edhe më shumë, dhe pas Jeshkovës, ndërmorën edhe një ofensivë tjetër ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, kësaj radhe atyre mbi Kabash, rreth 15 kilometra mbi fshatin Korishë.

Në fillim të marsit 1999, Batalioni II i Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut (ZOP) udhëhequr nga Lulzim Kabashi ishte vendosur në Kabash.

Mëngjesin e 17 marsit, rreth orës 7:00, forcat serbe, të përbëra nga policë dhe ushtarë ia kishin mësyrë Korishës nga tri drejtime: ai Prizren-Korishë-Muzhljak, Prizren-Skorobisht-stanet e Ukimerëve, ndërsa drejtimi i tretë ishte nga Guri i Zi mbi Kabash.

Forcat serbe kishin për qëllim që në thellësi ta ta rrethojnë Kabashin e më pas edhe nën mbështetjen e artilerisë ta bënin asgjësimin e forcave të UÇK-së, që ishin në fazën e konsolidimit dhe të rekrutimit të ushtarëve të rinj.

Ish-komandanti i Brigadës 125, Nehat Basha kujton se atë mëngjes derisa në shtab, në Retijë të Rahovecit po bisedonte me komandantin e ZOP,  Ekrem Rexhën -Komandant Drinin, rreth varrimit të nëntë ushtarëve të njësisë speciale të rënë në Jeshkovë, papritmas ka dëgjuar lajmin nga OSBE, që vëzhgonte situatën.

“Pasi nuk mundëm të vëmë kontakt me komandant Lulzim Kabashin, atëherë kontaktuam B.Ukimerin në Korishë, duke e urdhëruar që ta njoftonte atë. Pas gjysmë orë me vjen mesazhi i koduar nga Lulzimi se ai do ballafaqohej me forcat serbe, duke organizuar sulme befasuese. Ia kam miratuar vendimin”, kujton Basha.

Të gjitha rrugët ishin të bllokuara, pos asaj nga drejtimi i Mushtishtit. Imponimi i kësaj situate e vuri në gjendje sfide Kabashin e Korishën. Në njërën anë duhej mbrojtja dhe siguria e popullatës, dhe atë jo vetëm e Korishës, por edhe e shumë zonave tjera të strehuara në këtë fshat, e në anën tjetër përballjen e pabarabartë me forcat e shumta serbe, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Dëshmitarët e betejës tregojnë se më të parë këtë gjendje, Lulzim Ahmetaj, vëllai i dëshmorit Halim Ahmetaj, me një kali dhe Zeqir Ukimeraj (atë kohë rreth të 60-tave) me këmbë, përmes shtigjeve dytësore ishin nisur nga Korisha për ta lajmëruar shtabin për rrethimin, që po organizohej.

Rreth orës 8:30 kishin filluar granatimet e para, nga drejtimi i fshatit Novakë, Gelancë, Skorobisht dhe Landovicë. Pasi forcat serbe ishin ngjitur tek vendi i quajtur “Ara e Dëshmorëve”, në krye të së cilës ishin forcat e UÇK-së, rreth orës 9:00 kanë filluar luftimet ballë për ballë.

Duke kujtuar gatishmërinë heroike të trimave të lirisë, në betejën ku raporti i forcave ndërluftuese ishte i pabarabartë jo vetëm nga aspekti numerik, por edhe nga armatimi që posedonte makineria serbe, ish-komandanti, Lulzim Kabashi, tregon se pavarësisht armatimit të lehtë, djemtë e UÇK -së kishin armën më të fuqishme moralin dhe gatishmërinë e sakrificës për këtë vend, ndjenjë kjo e trashëguar nga baballarët, të cilët sakrifikuan për lirinë e vendit.

“Në një beteje epike, një ushtar i UÇK-së ka luftuar përballë 50 paramilitarëve serbë të armatosur rëndë e të përkrahur edhe nga makineria, që  kishte në dispozicion gjithë  atë potencial luftarak”, kujton ai.

Fotografia e Brigada E Kabashit

Luftimet janë zhvilluar në tri pika, në distanca prej 50 deri në 100 metra, duke luftuar edhe me granata dore.

Ish-ushtari Esat Halim Ukaj, kujton se si atë mëngjes me mjegull, e ku kishte edhe borë, komandanti Rexhep F. Kukaj i kishte kërkuar vëzhgimin e terrenit të cilin ky e njihte, duke e dërguar në drejtim të bjeshkës së Mushtisht, te shpella, në mënyrë që të vendosej për pozicionimin e ushtarëve.

“Vija e fronit ishte tek furrat e gëlqeres. Ndërkohë që kishin nisur luftimet erdhi i plagosur në këmbë Halim Ahmetaj (tash dëshmor i kombit), duke bërtitur se jemi të rrethuar dhe se do të ketë luftime të ashpra, porse djemtë e UÇK-së janë në epërsi dhe se është rasti për ta goditur armikun”, kujton ai, derisa tregon se ndonëse i plagosur Halimi vazhdonte të luftonte.

Për t’i evituar humbjet, ushtarët e UÇK-së ishin shpërndarë në grupe në disa pozicione.

Luftimet zgjatën deri në mbrëmje, kur forcat serbe ishin tërhequr duke lënë në fushëbetejë dhjetëra të vrarë. Ata më vonë e pranuan edhe vetë vrasjen e komandantit të këtij operacioni, sikurse edhe vrasjen e ushtarit Vladimir Markoviq.

Pjesëtarët e UÇK-së ishin nisur në drejtim të Grejkocit, Sallagrazhdës e Mushtishtit. Të nesërmen është mësuar se në altarin e lirisë kishin rënë për t’u përjetësuar në historinë e re të Kosovës, Halim Ahmetaj, Rexhep Kukaj dhe Murat Kabashi.

Gjendja e rëndë e krijuar, bëri që më 17 mars 1999 të ndërpritet procesi mësimor në Korishë, që rifilloi vetëm pas përfundimit të luftës. Pikërisht në këtë datë, shkolla fillore në Korishë tashmë e kremton si Ditën e saj. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.