Krusha e Madhe bashkë me të Voglën sot përkujtojnë të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, në të cilat nuk janë kursyer as fëmijët, gratë dhe pleqtë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Pikërisht 20 vjet më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në disa fshatra të rajonit të Përdrinisë, e sidomos në Krushë të Madhe dhe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.
Po ashtu edhe Krusha e Vogël, rreth 10 kilometra larg Prizrenit, pësoi dëme të mëdha. Përpos djegies së objekteve të banimit, forcat serbe gjatë kësaj periudhe vranë 113 civil shqiptarë. Prej tyre 45 janë identifikuar dhe varrosur, ndërsa 68 konsiderohen të zhdukur. Fshati ka edhe një dëshmor të luftës, ndërsa si pasojë e minave, pas luftës ka vdekur edhe një person.
Krahasuar me numrin e banorëve, ky është lokaliteti më i dëmtuar në Kosovë.
Në përkujtim të shënimit të kësaj date të dhimbshme do të mbahen homazhe dhe akademi përkujtimore. Në orën 11:00, kryeministri Ramush Haradinaj bënë homazhe në Krushë të Madhe, te Kompleksi i varrezave, ndërsa në Krushë të Vogël tubimi përkujtimor mbahet nga ora 12:00./GazetaePrizrenit.net/