20-vjetori i rënies së pilotëve amerikan, afër Prizrenit në kufirin me Shqipërinë
Sot u mbushën 20 vjet nga rënia e dy pilotëve amerikanë, David Gibbs dhe Kevin Reichert, të cilët humbën jetën me 5 maj 1999, në kohën e sulmeve të NATO-së kundër caqeve serbe, gjatë një trajnimi në terrenin malor në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Pilotët David Gibbs, 38-vjeçar nga Ohio dhe Kevin Reichert, 28-vjeçar nga Wisconsin humbën jetën pas rrëzimit me helikopterin “Apache” gjatë një fluturimi rutinë në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë, përderisa shqiptarët e Kosovës dëboheshin dhunshëm për në Shqipëri, nga ana e regjimit serb të Milosheviqit.
Për të përjetësuar sakrificën e tyre dhe për të përkujtuar përkrahjen amerikane dhe të NATO-së, në Prizren në një mjedis shumë të frekuentuar është ngritur Memoriali, që gjendet afër rreth-qarkullimit, tek stacioni i autobusëve.
Zbulimin e Memorialit, në vitin 2014 e patën bërë ish-ambasadorja amerikane Tracy Ann Jacobson dhe Presidenti, Hashim Thaçi (atëkohë kryeministër), përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Ngritja e obeliskut në Prizren është një shenjë respekti për të gjithë ushtarët e rënë të NATO-së, të cilët u sakrifikuan për ndalimin e gjenocidit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga Serbia. Për veprën e tyre, tërë populli shqiptar u është mirënjohës.
Ndryshe, në hyrjen tjetër të Prizrenit, në lagjen “Bazhdarhane” me nismën e ish-anëtarit të Asamblesë Komunale, Masar Shalës (tashmë të ndjerë), në vitin 2010 është ngritur një Memorial kushtuar NATO-së./GazetaePrizrenit.net/