Në fshatin Peqan, i cili gjendet disa kilometra nga Suhareka, mes fshatrave Semetisht e Shllapuzhan, gjatë ndërtimit të shtëpisë në pronë të Musli (haxhi Hajdin) Bytyçit, i riu Fisnik Bytyçi para pak kohe kishte gjetur një monument epigrafik të kohës romake, të cilin pronarët e kishin fshehur nga frika e ndalimit të ndërtimit, por më 8 korrik e dorëzuan në Muzeun e Suharekës.
Ndryshe, treva e rrethit të Suharekës (Hisar, Shirokë, Reshtan, Mushtisht, Studençan, Popovlan, Reçan) është e njohur edhe më herët falë zbulimeve të konsiderueshme arkeologjike të rastit, meqë gjendet në rajonin nëpër të cilin shpinte një nga rrugët e rëndësishme antike nga Naissusi (Nishi i sotëm) përmes stacionit Ad Fines, Prepolcit, Aquae Bas…,Vindenisit, luginës së lumit Llap, Vicianumit, Gazimestanit, Uglarit, Qafës së Dulës, Therandes, luginës së lumit Drin, stacionit Gabuleo, e kjo trase e rrugës vazhdonte tutje nëpër disa pika të tjera që gjendeshin në territorin e Shqipërisë deri në Lissus (Lezhë) në bregdet.
Teksti i mbishkrimit dhe domethënia e tij
Fjala është për një monument mbivarror apo stelë e tipit të njohur si “stela dardane” nga guri gëlqeror me lartësi 1.80 centimetra, e prodhuar në punëtori gurëgëdhendëse lokale, e cila kishte vepruar në këtë rajon gjatë periudhës romake. Për fat të mirë monumenti i gjetur është i ruajtur në tërësi, derisa mjaft monumente të këtilla zakonisht gjenden të fragmentuara ose të dëmtuara. Kjo stelë është nëntip i këtij lloji të monumenteve me mbarim harkor dhe edikulë të trajtës së njëjtë, por ka edhe nëntipa të tjerë të “stelave të tipit dardan”: me mbarim të rrafshët dhe edikulë katërkëndëshe, dhe me mbarim dhe edikulë në formë trekëndëshi. Ky monument në aspektin arkitektonik përbëhet nga edikula me mbarim harkor me dy figura femërore (të një femre të rritur dhe të një vajze të vogël) të punuara në reliev në nishën e saj, nën të cilën është fusha mbishkrimore me 8 rreshta tekst vijues:
DM
VLP MATA
QVE VIXIT
ANN XV
5AEL ANDIA
FILIE MEAE
PIISIME PO
SVI
Teksti lexohet : Dis Manibus, Ulpia Mata quae vixit annis quindecim, Aelia Andia, filiae meae piissimae posui, që do të thotë:
Maneve (hyjnive të nëntokës), Ulpia Mata e cila kishte jetuar pesëmbëdhjetë vjet, Elia Andia, vajzës sime më të shenjtë (më të dashur) ia ngrita (ndërtova).
Fusha mbishkrimore është e rrethuar me hardhi me gjethe urthi, e cila fillon nga një enë e tipit kantaros me dy dekorime të stilizuara anash në cilësi të vegëve dhe vazhdon në të dyja anët e fushës mbishkrimore deri në pjesën e cila e ndan fushën mbishkrimore dhe edikulen.
Teksti është i shkruar në gjuhë latine me shkronja të bukura kapitale të larta 5 cm., të punuara me shabllon, brenda të cilit shkurtesat standarde të fjalëve dhe të emrave janë të ndara me shenja të pikësimit (ndarëse) në formë të gjetheve të urthit “hedera”. ( Koha Ditore)