26 vjetori i masakrës së Celinës: 26 vjet nga rënia dëshmor e Naim Rexhepit, ish-nënkryetar i Lirisë
Naimi, ishte veprimtar shumë dimensional. Më 26 mars 1999, forcat ushtarako policore serbe duke qenë nën presionit dhe humbjeve që po përjetonin, me nisjen e fushatës ajrore (bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe) dhe luftën nga toka të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u hakmorëm mbi civilët e fshatit Celinë.
Në mesin e këtyre civilëve ishte edhe ish nënkryetari, i Klubit Futbollistik Liria, Naim Rexhepi, që kishte një veprimtari të theksuar kombëtare në atë kohë dhe angazhim në luftën e drejtë të popullit të Kosovës. Në kohën kur lufta shpërtheu gjithandej, veçmas pas luftës së familjes Jashari, ishin pezulluar dhe aktivitetet sportive bashkë me futbollin.
Në një shkrim që kishte bërë bujë, lidhur me faktin që tashmë rinia e atëhershme ishte duke bojkotuar shërbimin ushtarak, Naimi kishte thënë: ne po përgatisim ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Po i mbajmë afër dhe në aktivitet të përhershëm jo vetëm futbollistët (KF Liria e klubet e kohës) por dhe shikuesit, që kryesisht janë të rinj e që janë mijëra. Këta një ditë pa asnjë hezitim do të mund të shndërroheshin në ushtarë të Kosovës’, kishte thënë mes tjerash në shkrim Naim Rexhepi, duke nuhatur se tashmë koha e rezistencës me metoda paqësore kishte përfunduar.
Lidhur me rolin që pati në drejtimin e klubit Liria, për atë kohë me përulje e respekt e kujtojnë , Ramadan Susuri, ish-drejtor që flet për rolin e madh që pati Naimi në atë kohë, duke qenë gjithmonë me ide progresive në funksion të mbajtjes gjallë të futbollit dhe organizimit të pavarur.
Në këtë ditë Naim Rexhepi, kujtohet edhe nga legjendat e pavarësimit të futbollit: Mirsad Çollaku (aktualisht kryetar i LRF-s, e anëtar i KE të FFK-së) Erxhan Dana, Sami Buqaj, Astrit Bersha, etj, që për kontributin e Naim Rexhepit, flasin me respektin më të madh. Me daljen publike të UCK-së dhe konforntime që nisën që nga beteja e Jasharëve dhe shtrirjes që pati lufta e hapur gjithandej Kosovës, Naimi dha kontributin e tij.
Ndërkohë, përshkallëzimi i luftës kishte përfshirë pothuaj çdo pjesë të vendit. Naimi, që nga fillimi i vitit 1999, kur u zgjerua fronti luftës nisi që të qëndronte më shumë në fshatin e lindjes (pasiqë deri atëherë jetonte në Prizren) duke kontribuar për pjesën e Komunës së Rahovecit, për civilë e luftëtarë.
Madje, ai kishte kontakte (i autorizuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut, atëherë quhej NKMDLN në Prizren), kishte kontakte të rregullta me misionin ndërkombëtar ‘portokajt’, të cilëve u fliste për dhunën dhe terrorin serb, dhe përmes tij informoheshin mekanizmat tjerë ndërkombëtarë deri në kohën e bombardimeve në mars 1999. Ai, kishte dhe një telefon celular me të cilin mbante kontakte me zyrën e PPK-s dhe NKMDLNJ-së në Prizren, sikurse që shërbente dhe popullatën e Celinë me rrethinë, për tu informuar në ato kohë të rënda. Naimi, kishte rënë në sy për aktivitetin patriotik dhe në masakrën e Celinës me 25 mars 1999, bashkë me vëllain Dërgutin ekzekutohen, në mesin 75 martirëve të fshatit. Naimi, ndërkohë pas lufte për rolin dhe angazhimin patriotik, është shpallur dëshmorë. Klubi i Futbollit Liria, subjekti i PPK (ku ishte angazhuar) dhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut do ta kujtojnë përherë veprën e tij.
Shkruan: Bashkim Kajdomçaj, ish-anëtarë i PPK-së, gazetar sportiv dhe veprimtar i KMDLNJ-së në atë kohë. /Gazeta e Prizrenit