27 vjet nga masa*kra e Rahovecit
Më 19 korrik të vitit 1998, qyteti i Rahovecit u përball me një nga ofensivat më të rënda dhe më të përgjakshme të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë. Si pasojë e këtij sulmi brutal, mbi 150 civilë shqiptarë u vranë, shumë të tjerë u plagosën, e dhjetëra mbetën të zhdukur.
Një nga skenat më tronditëse të masakrës ndodhi në Teqenë e Sheh Myhedinit në Rahovec, ku u masakruan gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë vend të shenjtë.
Në një tjetër lokacion të njohur si “Tuba”, u gjetën të masakruar dy profesorë shqiptarë, ndërsa u zbuluan edhe trupat e gjashtë personave të tjerë, tërësisht të karbonizuar.
Dëshmitarët që arritën t’i mbijetojnë kësaj masakre, kanë rrëfyer se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kryen ekzekutime të njëpasnjëshme të civilëve shqiptarë, pa asnjë dallim moshe apo gjinie.

Ofensiva ka lënë pas qindra të zhdukur e të marrë peng, ndërsa shumë familje nuk e kanë ditur për vite me radhë fatin e të afërmve të tyre.
Tre ditë pas masakrës, më 22 korrik, autoritetet serbe në Prizren hapën dy gropa masive në varrezat e qytetit dhe varrosën trupat e shqiptarëve të vrarë në Rahovec, pa njoftuar familjarët apo identifikuar viktimat.