24-11-2024

28 familje nga Prizreni e Sharri do të bëhen me shtëpi të reja (foto)

Kremtimi i 28 Nëntorit, njërës prej festave më të rëndësishme kombëtare, sivjet do të jetë më i veçantë dhe i paharruar për familjen e Erden Dibrës si dhe 21 familje të tjera të komunës së Prizrenit dhe 6 sosh nga ajo e Sharrit (ish Dragashit). Kësaj dite historike, këto familje që jetojnë në gjendje sociale, do t’ia shtojnë edhe historinë e marrjes së çelësave për shtëpitë e reja, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Familja Dibra nga Prizreni, thotë se nuk di si ta përshkruaj gëzimin kur po sheh se tashme është bërë më shtëpi të re, pasi e vjetra, veç sa nuk ishte rrëzuar. “Për ne është diçka që nuk mund ta themi me fjalë”, ka thënë kryefamiljari Erdeni për “GazetaePrizrenit.net”.

Në bashkëpunim të shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe Komunës së Prizrenit janë ndërtuar 20 shtëpi, ndërsa dy të tjera i ka ndërtuar vet shoqata në fjalë. Projekti parasheh edhe mobilimin e tyre. Ndarja e çelësave do të bëhet pikërisht me rastin e 28  Nëntorit,  në një ceremoni simbolike që pritet të mbahet në Shtëpinë e Kulturës.

Drejtori për Mirëqenie sociale, Dr. Fejzë Kabashi tha se për këtë komuna ka investuar një fond prej 100 mijë euro, ndërsa ndërtimi është bërë në bashkëpunim me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, sipas sistemit çelësat në dorë.

“Po ashtu jemi në përfundim edhe të një projekti tjetër që Komuna po e kryen me formën “pika jashtë”, ku në përfundim  janë edhe 20 objekte të tjera, 17 nga grupi i parë sa ishin 37 dhe 3 nga kontrata Emergjente që e ka Drejtoria”, ka thënë ai  për portalin “GazetaePrizrenit.net”.

Sipas tij, këtë vit në përgjithësi po përfundojnë 40 shtëpi dhe 26 kulme. Nëse kushtet atmosferike janë të mira, atëherë këtij numri mund t’i shtohet edhe një shtëpi dhe 5 kulme, pasi kjo lejohet me kontratën “Emergjente”.

Përfituesit janë nga Prizreni, pastaj rajoni i Hasit,  Anadrinit etj./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.