11-01-2025

30 ditë paraburgim për personin që kërcënoi kryeministrin Kurti

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, ka marrë vendim për të dyshuarin që kërcënoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Milan Radivojevic ndodhet nën masën e ndalimit nga dita e djeshme dhe tashmë është mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali ekskluzivisht, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marigona Lajqi, ka nxjerrë aktvendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Radivojevic do të qëndrojë në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Kanosja”.

Dosja e Prokurorisë thotë se i njëjti dyshohet se përmes rrjetit social “Instagram” ka kanosur kryeministrin Albin Kurti, duke bërë një postim kërcënues në drejtim të tij.


Arsyetimi i Gjykatës

Gjyqtarja Lajqi në këtë çështje penale ka marrë këtë vendim, duke marrë parasysh dhe faktin se përgjegjësinë mbi armën e gjetur në shtëpinë e të pandehurit e ka marrë babai i tij Milijan Radivojevic, për të cilin është duke u zhvilluar një procedurë e ndarë.

Mirëpo, vet fakti se i njëjti ka jetuar në një ambient të tillë, ku ka pasur lehtësisht qasje në armë, për gjykatën paraqet ekzistim të rrezikut se mund të përsërisë veprën, apo të përfundojë veprën që është kanosur të kryejë, e që pasojat do të ishin jashtëzakonisht të mëdha, thuhet në vendimin e gjykatës të cilin e ka parë Sinjali.

Sinjali tutje merr vesh se rrethanë tjetër që gjykata e mori parasysh me rastin e caktimit të masës së parabugrimit, është fakti se Radivojevic është person i njohur për Policinë, pasi që më datën 21.10.2024, është ndaluar nga zyrtarët policorë, duke shkruar grafite me përmbajtje nacionaliste, në afërsi të Komunës së Zvecanit, për çka i është shqiptuar gjobë në shumë prej 300 euro, për Vandalizëm.

“Vet fakti se edhe pas shqiptimit të gjobës, për çka i është tërhequr vërejtja se veprimet e tij janë të ndaluara dhe të sanksionuara me ligj, i njëjti tani kryen vepër penale të tillë ndaj një zyrtari të lartë shtetëror, për gjykatën paraqet arsye të mjaftueshme për të krijuar bindjen se me çdo masë tjetër nuk do të evitohej rreziku i përsëritje.” – thuhet ndër të tjera në vendim.

 

Asnjë koment

Comments are closed.