4 turistë rusë humbën jetën në Kavajë të Shqipërië
“Pasi zbritën nga dhoma, qëndruan në zonën e xhakuzit. Kur i ofrova shërbim, ata më thanë se nuk kishin nevojë për asgjë”. Kjo është dëshmia e dhënë para grupit hetimor nga punonjësja e hotelit që i gjeti pa jetë.
Kamerat e sigurisë se hotelit kanë kapur momentin kur Natalia Burenkova 58 vjeçe, bashkeshorti i saj Sergei 61 vjeç, vajza e tyre Ekaterina 31 vjeçe dhe bashkëshorti i vajzës, Nikita Belousov 37 vjeç, lënë dhomat e tyre rreth orës 21:00 për të zbritur në pjesën e poshtme.
Punonjësja e hotelit ka treguar se ka shkuar për herë të dytë për t’u komunikuar mbylljen e shërbimit në atë zonë. Ka qenë ora 22:20 minuta kur ata nuk i janë përgjigjur më thirrjeve të saj. Kur i ka parë që nuk kishin shenja jete, ka alarmuar punonjësit e tjerë të hotelit.
Zyrtarisht, policia thotë se dyshohet që shkak i vdekjes është asfiksia, ndërkohë, përfaqësues të ambasadës ruse në Tiranë, po ndjekin procesin e autopsisë së viktimave, për zbardhjen shkakut të vdekjes.
Zyrtarët e ambasadës kanë qenë pranë morgut në QSUT në kohën kur viktimave u janë marrë mostrat për kryerjen e testeve kimike dhe analiza të tjera.
Burime nga grupi hetimor thanë për Tv Klan se nga kontrollet e ushtruara në dhomë, janë gjetur disa birra, ndërsa nga verifikimet ka rezultuar se nuk kishin konsumuar asgjë në hotel.
Sipas verifikimeve në sistemin TIMS, 4 viktimat kanë hyrë në Shqipëri të dielën, ku së bashku me persona të tjerë kanë bërë ture turistike me guidë.
Ata kanë udhëtuar në drejtim të Ohrit dhe pasditen e së premtes, rreth orës 20:30, janë akomoduar në hotelin luksoz në zonën e Qerretit, ku dy orë më vonë u gjetën pa jetë.
Tv Klan