24-11-2024

40 vjet nga themelimi i repartit të urologjisë në Spitalin e Prizrenit

Fillimi i prillit të këtij viti shënon 40-vjetorin e themelimit të repartit të urologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, një sukses ky i radhës në mjekësinë kosovare të asaj kohe.

Realizimi i këtij projekti ua hoqi brengat banorëve të rajonit të Prizrenit, që shërbimet e tilla detyroheshin t’i kërkonin në qendrat e tjera universitare, madje përtej Prishtinës, si në Shkup, Zagreb, Sarajevë, Beograd, Lubjanë, e gjetiu, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Rikthimi i Dr. Selman Muçajt, pak kohë pas mbarimit të specializimit në Klinikën Urologjike “Rebro” në Zagreb, mundësoi një kuadër të ri e të përgatitur për mjekësinë në qendrën e dytë për nga madhësia në Kosovë, pas Prishtinës si kryeqendër.

Reparti i Urologjisë nisi punën në kuadër të kirurgjisë së përgjithshme, deri më 27 qershor 1983, kur edhe u pavarësua.

Dr. Muçaj, që tashmë është në pension, kujton se për shkak të ditëve të vështira, pas vitit 1981, kur diskriminimi ndaj shqiptarëve, ishte detyrë mbi detyra i forcave nacionaliste serbe, kuadrot shqiptare mjekësore nuk u ndalën në formimin e shërbimeve specialistike, të cilat mungonin në Prizren.

Open photo

Në kuadër të pavijonit urologjik ishte salla e operimit, kabineti i endoskopisë, ai i echosongrafisë dhe mjediset e ambulancës specialistike.

“Pas katër dekadash, reparti ka kaluar në një rrugë të gjatë, me plot sfida, sakrifica, pengesa të natyrave të ndryshme politike, ekonomike, financiare, njerëzore e menaxheriale”, shprehet mjeku Selman Muçaj, i cili tashmë është një emër i respektuar jo vetëm në Prizren, por edhe në rajon.

Në kohën e vështirë, gjatë dekadës së viteve 90-ta, përtej sfidave në profesion, Dr. Muçajt shpesh i është dashur të përballet edhe me ato politike, që nga alarmimi i tij në ditët e vështira të marsit të vitit 1989, se kulmi i Spitalit të Prizrenit ishte mbushur snajperit serbo-jugosllave, në ditën e demonstratave të shqiptarëve kundër suprimimit të autonomisë së Krahinës së Kosovës nga ana e Serbisë, e deri te organizimi dhe udhëheqja sindikale, përfshirë edhe largimin nga puna, pas aplikimit të masave të dhunshme serbe në spitalin rajonal, që tashmë mban emrin e doajenit të mjekësisë kosovare  Prim. Dr. Daut Mustafës.

Përkundër të gjithave rrethanave, rrita e shërbimit në urologjinë prizrenas ishte e pandërprerë, ndonëse kishte filluar me një (1) urolog, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Për patologjitë më të shpeshta urologjike: urolitiazë, sëmundjet e prostatës, rastet e uro-onkologjike, ananomalitë kongjenitale e patologjitë tjera, pacientët më nuk kishin nevojë të udhëtonin gjetiu për shërim dhe trajtim, qoftë konservativ apo operator. Duke iu falënderuar profilizimeve të stafit, gama e intervenimeve urologjike tashmë është mjaft e gjerë.

Sipas Dr. Muçajt, në vitet në vazhdim reparti u pajis me aparate e instrumente të ndryshme, kompletimi me aparatura për sallën e operimit dhe endourolgji; cistoscopia, resektoskopi për TUR-P, e TUR-B, pastaj ureterenoskopia semirigjide, ureterolitotripsia pneumatike, litotriptori mekanik, ultrazëri etj.

Aktualisht në Prizren janë 9 urolog specialistë ( 8 në sektorin publik  dhe një në atë privat).  Më 1992, reparti përforcohet edhe me urologen dr. Elvan Maloku, për të vazhduar me kuadro tjerë: Dr. Bashkim Thaçi ( nga viti 1994), Dr.Agim Hazrolli (1999), Dr.Fatos Shukriu (2001), Dr.Afrim Rrustemi (2005).

Në tre vitet, pjesë e ekipit janë edhe gjenerata e re e urologëve: Dr.Halil Xhibexhiu, Dr.Alban Hasani, Dr. Sadri Kastrati.

Në historinë e këtij pavijoni, pjesë e personelit që themeluan urologjinë në Prizren janë edhe infermierët: Lirije Bajrami, Fevzi Xhemali, Drita Elshani-Shpejti, Latif Krasniqi, si dhe Azem Raduna, higjienist (i ndjerë).

/ GazetaePrizrenit.net /

 

Asnjë koment

Comments are closed.