5 vjet e gjysmë burgim dorasit të vëllait në Krajk të Hasit
Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda shpalli aktgjykimin dënues ndaj të akuzuarit me iniciale SH. Likaj, nga Fshati Krajk e Prizreni, për shkak të veprës penale të vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe të akuzuarit tjetër me iniciale H.K., nga fshati Krajk, Komuna e Prizrenit për shkak të veprës penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.
Të akuzuarin SH. Likaj gjykata e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë ) vitesh, ndërsa i shqiptohet dënimi UNIK me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.
I akuzuari me iniciale H.K., është liruar nga akuza pasi që nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.2 dhe 3 të KPRK-së.
Nga të akuzuarit konfiskohen të gjitha armët sipas propozimit të aktakuzës.
Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se me datën 31.08.2015 rreth orës 14:35 minuta, në Krajk në gjendje të tronditjes së fort mendore me përdorimin e armëve të zjarrit privon nga jeta vëllain e tij- tani të ndjerin me iniciale K. Likaj.
“Kjo ka ndodhu pas një mosmarrëveshje të mëhershme, si dhe konfliktit verbal në mes vete të ditës kritike, lidhur me kalimin e automjeteve të dasmorëve nëpër rrugën e tyre të përbashkët, në një moment fillon konflikti i armatosur në mes të akuzuarve dhe të ndjerit K.L., me ç’rast i ndjeri qëllon në të akuzuarin me armë – pisoletë duke i plagosur të akuzuarit.
Në atë moment i akuzuari SH.L. nxjerr nga brezi pistoletën dhe qëllon në të ndjerin K. L. me ç’rast si pasoj i shkakton plagë vdekjeprurëse”, thuhet në aktgjykimin e rastit. /GazetaePrizrenit.net