26-11-2024

Paraburgim ndaj tre të dyshuarve për fajde nga Prizreni

Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit ndaj të pandehurve B.M.,(1) S.M., dhe E.M., për shkak të dyshimit të bazuar se secili i pandehur veç e veç ka kryer veprën penale Fajdeja nga neni 331 par. 3 të Kodit Penal të Kosovës.

Kurse për të pandehurin B.M., (2)., gjyqtari i procedurës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 17.09.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 17.10.2021, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Fajdeja nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Kosovës. (Nëse i pandehuri e shkel masën e arrestit shtëpiak ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit).

Në një komunikatë për medie njoftohet se Gjykata me rastin e caktimit të masës së sigurisë ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

– Në data dhe muaj të pavërtetuar, nga vitit 2017,2018 e deri në vitin 2021, secili i pandehur veç e veç, ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të te dëmtuarit, dhe kanë përfituar shuma të mëdha financiare të kundërligjshme duke dhënë para me fajde në kamata shume të larta dhe duke i detyruar të dëmtuarin të veprojnë në dëm të pasurisë së tij, duke lidhur edhe kontratat për shitblerjen e paluajtshmërive si dhe kompensime të tjera si automjete të cilat janë dhënë në emër të fajdes, gjithnjë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve, Gjykata ka marrë parasysh peshën dhe rrezikshmërinë e veprës penale, dhe pasojave të veçanta të kësaj vepre, si dhe shtrirjen e veprës penale të Fajdes në territorin e kësaj gjykate, këto rrethana shtojnë dyshimin se nëse të pandehurit lihen në liri, mund të fshihen apo arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, duke pasur parasysh edhe lidhjen e afërt familjare që kanë ndërmjet vete katër (4) të pandehurit.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, duke pasur parasysh sjelljet dhe vendosmërinë për të kryer këto lloj të veprave penale, dhe mos ndërmarrja e masave adekuate në këtë fazë të procedurës, do të pamundësonte mbarëvajtjen e rregullt të procedurës penale – hetimore, kështu që ndaj të pandehurve të lartcekur u caktua masa e paraburgimit dhe e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.