28-11-2024

Keqpërdorimi i të miturve në rrjetet sociale është në rritje

Mbi 95 për qind e popullsisë në vend janë përdorues të internetit dhe si pasojë e kësaj, keqpërdorimi i të miturve në rrjetet sociale është në rritje. Sipas sociologeve dhe ekspertëve, ky fenomen ka pasoja të rënda për të ardhmen e fëmijëve dhe se familjet e institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë me shumë për sa i përket sigurisë së fëmijëve gjatë përdorimit të internetit.

Keqpërdorimi i të miturve në rrjetet sociale është në rritje dhe se raportimi i rasteve mbetet sfidë, pasi që në Kosovë mbi 95 për qind e popullsisë është përdorues i internetit dhe një pjesë e madhe e tyre janë të mitur. Se kjo situatë është shqetësuese dhe është jashtë çdo kontrolli e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën eksperti dhe ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

“Shqetësuese është moskufizimi i qasjes i cilësdo moshë në ueb faqe që konsiderohen ose janë të ndaluara në vendet e tjera për arsye të tjera. Kriteri tjetër që duhet të ekzistonte së paku është të identifikohen ata të cilët hyjnë në këto ueb faqe, të gjurmohet që të ketë një gjurmë eventualisht për vlerësimin e të dhënave që mbikëqyren. Ajo që është edhe më keqe është ekspozimi edhe në mediet publike dhe private”, ka theksuar Jashari.

Po ashtu, ai tha se pasojat nga ekspozimi i të miturve në rrjetet sociale  janë shumë të mëdha sa që sipas disa studimeve të bëra, edhe ADN- ja e këtyre personave ndryshon në moshën madhore si pasojë e keqpërdorimit të tyre në rrjetet sociale.

“Aq i thellë është ndikimi sa që në shkencë është vërtetuar që  ai person në moshën madhore pëson ndryshim të ADN-së. Kaq i thellë është ndikimi  për të cilën ne nuk jemi të vetëdijshëm dhe unë, sa isha në pozitën e Avokatit të Popullit, e pata  bërë një publikim të kësaj natyre për t’i vetëdijesuar institucionet përgjegjëse për të kuptuar se sa i madh është ndikimi. Por, për fat të keq, nuk pati ndonjë reagim pozitiv të institucioneve që merren me trajtimin shëndetësor, social dhe atë  psikologjik dhe për të njoftuar edhe popullatën se çfarë ndikimi mund të kenë sjelljet e tilla te fëmijët dhe në përgjithësi”, ka shtuar Jashari.

Se pasojat janë të mëdha gjatë abuzimit të fëmijëve në rrjetet sociale e thotë për Radio Kosovën edhe sociologu Shkodran Ramadani, që është edhe drejtor i Qendrës për Studime të Avancuar e që kanë organizuar studime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Po ashtu, të miturit që keqpërdoren në rrjetet sociale, në të ardhmen do të bullizohen, tha Ramadani.

Asnjë koment

Comments are closed.