A do të vazhdojë Greva, tregon Jashari
Nuk ka përfundim të grevës në arsim e administratë publike. Një sqarim i tillë vjen nga Rrahman Jasharaj, që është kryetar i SBASHK-ut, por edhe pjesë e Këshillit Grevist.
Në deklarim për RTK-në, Jasharaj shprehet se nuk kanë marrë ndonjë sinjal e as ftesë nga Qeveria, për ndonjë takim gjatë ditës së sotme (e martë).
Kreu i SBASHK-ut rikonfirmon se greva po vazhdon me vendim të kryesisë së sindikatës.
“Të dy palët duhet të ndihen të barabarta e të dy palët duhet të ndihen fitues me marrëveshje, sepse po kontribuojnë për stabilizimin e situatës”, thotë Jasharaj për RTK-në.
Sipas tij, Qeveria asnjë kontribut nuk e ka dhënë deri më tani që të mos arrihet në këtë situatë.
“Nëntë muaj e kemi lutur e madje grevën e kemi nisur me datë 25 gusht, duke uruar që deri me 1 shtator të bëhet diçka”, thotë Jasharaj.
“E Qeveria në vend të kësaj, zgjedh deklarata të ashpra, që ndikojnë edhe më keq te anëtarësia”.
Ai ka konfirmuar se të mërkurën në Kosovë do të qëndrojë drejtoresha e Unionit të Sindikatave të Arsimit, Susan Flocken, e cila pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti.