19-08-2025

“70 mijë euro për trajnime të dyshimta” – Zyrtari i Arsimit në Prizren akuzon për “keqmenaxhim dhe lidhje politike”

Një zyrtar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren ka ngritur shqetësime serioze rreth mënyrës se si janë shpenzuar mbi 70 mijë euro nga buxheti komunal për trajnime të mësimdhënësve. Fisnik Berisha në një postim në “facebook”, njoftoi se këto mjete janë dhënë një biznesi të vetëm në rrethana të dyshimta, duke e vënë në pikëpyetje edhe cilësinë e trajnimeve të ofruara.

Postimi i plotë i Berishës:

Drejtoria Komunal e Arsimit në Prizren ka shpenzuar mbi 70 mijë euro nga buxheti i varfër i komunës për trajnimin e mësimdhënësve.
Më duhet të theksoj se trajnimet janë të domosdoshme për zhvillimin e cilësisë së arsimit, por mënyra se si është insistuar që t’i jepet tenderi mbi 70 mijë euro vetëm një biznesi të caktuar dhe cilësia që ka ofruar ai trajnim për mësimdhënësit le të kuptoj se kjo shumë e parave të DKA-së nuk është menaxhuar siç duhet dhe le vend për dyshime.

Në kohën kur QAPA (kompania që ka fituar tenderin mbi 70 000 euro të trajnimit), SBASHKU ka organizuar trajnime falas në disa programe (fusha), të cilat kanë pasur më shumë cilësi dhe më shumë kredite për mësimdhënësit.
Pse duhet të shpenzohen këto para nga DKA për trajnime të dyfishta dhe jo cilësore kur mund të përdoren për investime më të rëndësishme për mësimdhënësit, si përmirësimi i kushteve të punës dhe ngritja e cilësisë së arsimit?

Por ka më shumë se kaq. Organizata në fjalë që ka “grabitur’ parat e DKA-së, ka shfrytëzuar objektet dhe inventarin e DKA-së dhe nuk kanë ofruar as kushtet minimal për mësimdhënësit.
Ky është një shembull klasik i lidhjeve politike dhe përfitimeve materiale për individë të caktuar, që kanë lidhje me pushtetin komunal dhe që shfrytëzojnë mundësitë për të përfituar nga buxheti i varfër i komunës, pa u interesuar për nevojat reale të mësimdhënësve dhe cilësisë në arsim.

Në një kohë kur mësimdhënësit po kërkojnë përmirësim të kushteve të mësimdhënies dhe një mbështetje më të fortë, ky lloj menaxhimi është i papranueshëm. Pse të shpenzohen mbi 70 mijë euro për trajnime që mund të ofrohen pa pagesë nga MASHTI, SBASHKU dhe organizata të tjera siç ka ndodhur deri më sot, ndërsa mësimdhënësit e Prizrenit vazhdojnë të përballen me vështirësi dhe kushte të pasigurta pune?

Ky është një menaxhim i gabuar i buxhetit dhe një abuzim i pasurisë publike, që ka si synim përfitimin e disa individëve, ndërsa arsimi mbetet në një situatë të vështirë.

Në anën tjetër, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk kemi parë ndonjë reagim zyrtar nga Drejtoria e Arsimit në lidhje me pretendimet e ngritura.

Lexo edhe:

Prizreni kampion i ankesave në tenderë – lë prapa edhe KEK-un

Asnjë koment

Comments are closed.