PDK dërgon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Sipas PDK-së, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka thënë se qeveria ka bërë shkelje të Kushtetutës me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
“Sot me kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së kemi ardhur në Kushtetuese për t’i paraqitur kërkesën për kushtetutshmërinë për Ligjin për Zyrtarët Publikë që ne mendojmë që ne mendojmë që kanë bërë një shkelje të radhës të Kushtetutës”, ka thënë Lushtaku.
Ai ka thënë se ky Ligj në katër pika është në shpërputhje me Kushtetutën e vendit dhe ka bazë që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë atë.
“Është shkelur dinjiteti i nëpunësve dhe kemi menduar që në katër pika të shkeljes së këtij ligji t’i dërgojmë në Kushtetuese dhe ne mendojmë që ka bazë të mirëfilltë që jo vetëm të e shqyrtoj por edhe ta shfuqizojë Ligjin për Zyrëtarët Publikë”, ka thënë deputeti Lushtaku.