75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë ndaj pesë të akuzuarve për rastin e 400 kg kok*ainë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj pesë të akuzuarve për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, duke i dënuar (së bashku) me 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni.
Tëakuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”

Sipas vendimit, i akuzuari Kadri Sheqiri u dënua me 15 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Kadri Brahimi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Faton Vrajolli me 20 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë, Fehmi Bytyqi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Kurse, Izet Sheqiri u dënua me 20 vjet burgim dhe 60 mijë euro gjobë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe 3 mijë euro për “Armëmbajtje pa leje”. Gjithsej, 63 mijë euro gjobë.

Të akuzuarve Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi iu caktohet masa e paraburgimi, ndërkaq të tjerëve iu vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.
Në dënimin me burgim, të akuzuarve iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Konfiskohet sasia e narkotikut dhe mjetet që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, dhe arma për të cilën u shpall fajtor i akuzuari Izet Sheqiri.
Të akuzuarit obligohen të paguajnë nga 500 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.
Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.
Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove.
