23-11-2024

Rishpallet konkursi për avancimin e gjyqtarëve në Apel dhe shpallet konkurs për rekrutim të bashkëpunëtorëve profesionalë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 307-të, të mbajtur të enjten, ka rishpallur konkursin e brendshëm për avancim të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit.

Gjithashtu, në këtë takim KGJK ka shpallur konkurs edhe për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesionalë në Gjykatat e Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Rishpallja e konkursit për avancim të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit është shpallur për katër pozita.

Ky konkurs ishte anuluar për shkak se ishte pritur që të miratohej ndryshimi i Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Procedurën e Ngritjes në Detyrë të Gjyqtarëve.


Gjatë këtij takimi KGJK ka miratuar edhe listën përfundimtare për bashkëpunëtor profesionalë sipas listës finale të konkursit të fundit.

Në këtë takim Këshilli ka miratuar edhe Rregulloren për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores  për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve.

Gjithashtu, anëtarët e Këshillit miratuan Katalogut të Pozitave dhe Përshkrimit të Vendeve të Punës për të Punësuarit e Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në po të njëjtin takim Këshilli ka miratuar edhe Katalogun e Pozitave dhe Përshkrimit të Vendeve të Punës për të Punësuarit e Njësisë për Inspektim Gjyqësor.

Gjatë draftimit të këtij akt, anëtarja Rexhaj tha se Komisioni ka mbajtur tri takime ku janë përfshirë grupe të ndryshme. Ajo tha se kanë pranuar vërejtje dhe sugjerime edhe nga të punësuarit në këtë njësit.

Si pikë tjetër e rendit të ditës ka qenë edhe diskutimi lidhur me Sistemin Qendror të Evidencës Penale për vazhdimin e financimit nga një projekt të 26 zyrtarëve ligjorë të angazhuar për Evidencë Penale në Gjykatat e Republikës së Kosovës.

Anëtarët e Këshillit kanë diskutuar edhe lidhur me zhvendosjen e stafit të Gjykatës Themelore Mitrovicë nga ndërtesa në Jug për shkak të renovimit.

Lidhur me këtë pikë, u vendos që lidhur me kjo pikë të shqyrtohet nga Sekretariati në bashkëpunim me nënkryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Në këtë takim KGJK ka shqyrtuar edhe kërkesat për transfer të bashkëpunëtorëve profesionalë.

Ndryshe, me dyer të mbyllura ka vazhduar pjesa tjetër e takimit, ku si pika të mbyllura janë paraparë të diskutohen;

  • Shqyrtimi i raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura për rastin disiplinor të bashkuar Nr.AD/KGJK/19/2022/GJA-ADGJA.nr.11/22 (e mbyllur)
  • Shqyrtimi i kërkesës për përjashtim të kryesuesit të panelit hetimor për rastin AD/KGJK/04/2023/GJTHPR (e mbyllur)
  • Shqyrtimi i ankesës AD/KGJK/02/2023/GJS, ndaj vendimit te Autoritetit Kompetent (e mbyllur)
  • Themelimi i panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/05/2023/GJTHPZ- AD/GJTHPZ/6/23 (e mbyllur)/BetimipërDrejtësi

Shënim: Të gjitha takimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) monitorohen nga “Betimi për Drejtësi”.

Asnjë koment

Comments are closed.