Migrimi prek shkollat, bashkë me familje po largohen edhe nxënësit
Trendi i braktisjes së shkollave në Kosovë po vjen duke u rritur nga viti në vit, ndërsa vitin e kaluar kanë lënë shkollën 1 mijë e 384 nxënës. E vetëm në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor, kanë braktisur shkollimin rreth 400 nxënës, pasi kanë migruar jashtë Kosovës. Numri më i madh i braktisjes, u regjistrua në arsimin e mesëm të lartë, ndërsa njohësit thonë se kjo ka ndikuar në çrregullimin e procesit arsimor dhe se dëmet do të jenë të pariparueshme.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, në vitin shkollor 2021/2022, e kanë lënë shkollën 1 mijë e 384 nxënës, prej tyre 90 nga niveli fillor dhe 1 mijë e 294 në nivelin e mesëm të lartë. Në vitin shkollor 2020/2021, e kanë braktisur shkollën 992 nxënës, prej tyre 109 në nivelin fillor, ndërsa 883 në arsimin e mesëm të lartë. Në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor, kanë lënë mësimin 442 nxënës, prej tyre 58 në nivelin fillor dhe 384 në arsimin e mesëm të lartë.
Këshilltarja për Media në Ministrinë e Arsimit, Edona Maliqaj, tha për Radio Kosovën se ministria ka themeluar ekipet për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes, bazuar në udhëzimin administrativ për themelimin dhe funksionalizimin e ekipeve për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes.
“Kemi zhvilluar dhe është funksional moduli për sistemin e paralajmërimit të hershëm të braktisjes, i cili rrit premisat për punë më efikase në parandalim dhe reagim ndaj braktisjes së shkollës”, thotë Maliqaj.
“Gjithashtu, janë zhvilluar dhe përdoren doracakë për funksionimin e ekipeve në shkolla dhe komuna me instrumente të qarta për identifikim, trajtim dhe raportim të rasteve me rrezik të braktisjes”, thotë ajo për radio Kosovën.
“Janë mbajtur edhe sesione në të gjitha komunat dhe po punohet në vazhdimësi në ngritjen e kapaciteteve të stafit të shkollave për identifikim dhe reagim të hershëm ndaj rasteve në rrezik të braktisjes, duke punuar në parandalim”.
Sipas Maliqajt, është punuar në ngritjen e kapaciteteve të inspektoratit dhe së fundi po punohet në ngritjen e kapaciteteve të shkollave të mesme, ngase braktisjet më të mëdha janë në këtë nivel.
“Mbi këtë bazë, shkollave u është krijuar mundësia e identifikimit, trajtimit dhe referimit të rasteve në kohë reale, sipas legjislacionit në fuqi.”
Ndërkohë, njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, tha për Radio Kosovën, se çdo vit në Kosovë janë rreth 3 për qind nxënës më pak. Sipas tij, një pjesë vjen nga ulja e natalitetit, ndërsa pjesa tjetër vjen nga ikja konstante dhe e pandalshme e popullatës jashtë Kosovës. E kjo, siç tha ai, ka ndikuar në cilësinë e arsimit.
“Kjo ka ndikuar në çrregullimin e proceseve arsimore, sidomos në zonat rurale, por edhe në zonat e qytetit. Besoj se kjo edhe në zonat e qytetit do të ndihet edhe më shumë në vitet e ardhshme”, thotë Rexhaj.
“Kjo ka ndikuar qysh tani në cilësinë dhe mënyrën e organizimit të procesit arsimor dhe mendoj se dëmet janë pothuajse të pariparueshme.”
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit, shkaqet e braktisjes së shkollimit ndikohen nga faktori ekonomik, ai social dhe faktori familjar, e nuk përjashtohet edhe faktori individual dhe ai shkollor. Braktisja e Kosovës nga qytetarët për një jetë më të mirë drejt shteteve të Bashkimit Evropian, konsiderohet nga ekspertët si ndër fenomenet që do ketë pasoja të rënda për Kosovën.
Sipas demografëve, edhe Kosova ka një ulje drastike të lindjeve dhe nëse do të vazhdojë një trend i tillë i natalitetit, brenda 10 viteve numri i popullsisë në Kosovë pritet të pësojë rënie të ndjeshme.