Gjiganti turk i bashkohet garës për Mourinhon
Jose Mourinho raportohet se ka një propozim të ri në tryezë, pasi Fenerbahçe dëshiron ta punësojë atë për sezonin e ardhshëm.
“Special One” është duke pushuar që nga janari i këtij viti, kur u shkarkua nga Roma, transmeton Gazet Express. Ai ka thënë vazhdimisht se është i etur për t’u rikthyer në punë dhe dëshiron të sigurohet që të zgjedhë opsionin e duhur për hapin tjetër në karrierën e tij.
Sipas gazetarit turk, Yagiz Sabuncuoglu, ish-presidenti i Fenerbahçes, Aziz Yildirim, e ka vendosur Mourinhon në krye të listës së dëshirave të tij dhe se e ka kontaktuar për një lëvizje të tillë.
Yildirim ka vendosur emrin e tij për të qenë kandidat për pozitën e presidentit te gjiganti turk, pozitë në të cilën ishte nga viti 1998 deri në vitin 2018.
Mbetet për t’u parë fillimisht nëse ai do ta rikthehet si president dhe pastaj nëse Mourinho do ta pranojë.
Gjithsesi, tani për tani Fenerbahçe mund të hyjë në listën e klubeve të interesuara për trajnerin 61-vjeçar.