Sonte Bashkimi-Prishtina, seria finale e plejofit në Ligën e Femrave në basketboll
Sonte nis seria finale e plejofit në Ligën e Femrave në basketboll. Bashkimi do të përballet në Prizren me Prishtinën, sot në orën 20:00, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Ekipi prizrenas është kampion në fuqi, ndërsa këtë edicion Prishtina ka fituar Superkupën dhe Kupën e Kosovës.
Ky është viti i dytë rresht që Bashkimi është në finale, andaj synim është mbrojta e titullit.
Për këtë Bashkimit i duhen tri fitore në këtë seri.“Ekipi është i gatshëm të jap edhe atomin e fundit për këtë sukses”, kanë deklaruar përfaqësuesit e tij.
Bashkimi ka përparësinë e terrenit si kampion i pjesës së rregullt, por drejtuesit e klubit kërkojnë përkrahje nga tifozët, duke besuar se këtë herë do të jetë më ndryshe, pasi “Arpagjikt” do të krijojnë një atmosferë fantastike, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
“Hyrja do të jetë gratis si gjithmonë, por ekipi është gati për serinë finale. Ashtu siç e kanë cekur “Arpagjikt” edhe ne po e cekim që nuk ka arsye për të munguar në palestër. Më përkrahjen e të gjithëve nga tribunat, ekipi është dyfish më i fortë” , thuhet në njoftimin e tyre.
Ndërkaq “Arpagjikt” në thirrjen e tyre për përkrahjen e klubit kanë shkruar:
“Të Dielën nuk ka arsyetim. Krejt Prizreni në Sezai Surroi. Surpriza dhe gjithçka çka ka të bëjë me paraqitjen tonë janë duke u bërë gati. Mos e le pa ardh!, kanë shkruar ata. /GazetaePrizrenit.net